Prodhonin kriptomonedha në mënyrë të paligjshme – Policia sekuestron laboratorin dhe 7 pajisje elektronike
Strukturat e DVP Durrës, njoftojnë se në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe Departamentin e Policisë Kriminale, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të disponuara nga këto struktura, se një shtetas kryente veprimtari kriminale në fushën e prodhimit të kriptomonedhave, kanë mirë organizuar punën dhe kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “Kriptomonedha”.
Sipas njoftimit si rezultat, në katin e parë të një objekti në pronësi të shtetasit S. D., i cili ia kishte lëshuar këtë ambient me qira një personi tjetër, shërbimet e Policisë konstatuan një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 pajisje elektronike për prodhimin e kriptomonedhave dhe gjithashtu, në këtë banesë u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Shtetasi S. D. është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës.
Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Krujë informojnë se në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin e personit që ka marrë me qira këtë ambient, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.