Prodhuesit me një zë – Bazë e plotë të dhënash dhe treg më konkurrues

Prodhues të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë janë grupuar nën një logo të vetme, të quajtur “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar” organizatë që synon të krijojë një database të qartë të të gjithë prodhuesve në mbarë vendin, të jetë një zë i fortë që do të adresojë shqetësimet ndaj qeverive përkatëse, si dhe do të synojë rritjen e shkëmbimeve mes këtyre vendeve, duke qenë më konkurrues në tregjet Europiane.
“Lindi ky bashkim për të forcuar marrëdhëniet midis palëve, për të importuar dhe eksportuar midis tre shteteve të vogla, por që përbëhen nga rreth 6 milionë banorë dhe rrisim konsumin tonë për eksportin e mallrave, njëkohësisht për të pasur një forcë të madhe, për të kërkuar të drejtat midis qeverive tona. Ka shumë pengesa doganore, ka shumë pengesa të ndryshme tarifore, që nuk e bëjnë të funksionojë mire ky sektor. Duke qenë të bashkuar mendojmë që do të jemi të fortë që të vendosim dhe të ulemi së bashku me qeveritë tona për të funksionuar sa më shumë tregu”, shprehet Donika Mici, Zv. Presidente, “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar”.
Pjesëmarrës në ceremoninë e inaugurimit të organizatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar”, Kryeministri Edi Rama i kërkoi sipërmarrjeve të bashkëpunojnë me qeverinë për realizimin e reformave që do të reduktojnë burokracitë në veprimtarinë e tyre.
“Sa shumë kohë mund të fitojmë së bashku për të mirën e sipërmarrjes dhe përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, nëse krijojmë ura kontakti të vazhdueshme dhe të ndërveprojmë për të çuar përpara, proceset e reformave, transformimet e legjislacionit në funksion të lehtësimit të barrës së sipërmarrjes prej peshës së burokracisë”, thotë Rama.
Ndër qëllimet e Organizatës“Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar”, është t’i shërbejë të gjithë sektorit të prodhimit vendas nëpërmjet informimit të vazhdueshëm, mbështetjes në forma të ligjshme të sektorit të prodhimit, nxitjes së prodhimit vendas duke e kthyer në motor zhvillimi për ekonominë shqiptare si dhe promovimi i markës “Made in Albania”.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.