Producenti i ‘Wolf of Wall Street’ arrestohet për pastrim parash
Malajzia ka akuzuar të premten një nga producentët e filmit “Wolf of Wall Street”, si dhe pasardhësin e ish kryeministrit Najib Razak, për pastrim parash, me pretendimin se ai ka përvetësuar 248 milionë dollarë të lidhura me fondin shtetëror 1Malaysia Development Berhad (1MDB). Riza Aziz, një bashkëthemelues i firmës prodhuese të filmave Hollywood-ian Red Granite Pictures, i cili ishte dhe një nga krijuesit e filmit të nominuar për Oskar, “The Wolf of Wall Street”, u akuzua me pesë raste pastrimi parash.
Prokurorët thanë se Riza mori një total prej 248 milionë dollarë si rezultat i keqpërdorimit të fondeve 1MDB. Riza u vetë-deklarua jo fajtor për të gjitha akuzat. Çdo pagesë ka një dënim financiar deri në pesë milionë ringgit ($ 1.21 milion), një afat maksimal prej pesë vjetësh burg, ose të dyja bashkë. Gjykata i dha Rizës lirimin me kusht kundrejt pagesës prej një milion ringgit dhe i kërkoi atij të dorëzonte pasaportat e tij.
Pas humbjes së papritur të zgjedhjeve ndaj Mahathir Mohamad në maj të vitit të kaluar, Najib është goditur me një seri akuzash për korrupsion, kryesisht të lidhura me humbjet në 1MDB tashmë inekzistente. Najib, i cili themeloi 1MDB në 2009, përballet me 42 akuza penale lidhur me humbjet e mëdha të fondeve dhe subjekteve të tjera shtetërore. Ai është deklaruar jo fajtor dhe vazhdimisht ka mohuar akuzat.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA ka vlerësuar se një total prej 4.5 miliardë dollarësh është shpërdoruar nga zyrtarët e nivelit të lartë në 1MDB dhe bashkëpunëtorët e tyre midis 2009 dhe 2014. 1MDB është duke u hetuar në të paktën gjashtë vende për pastrimin e parave dhe transferimin e parave. Prokurorët e Shteteve të Bashkuara kanë thënë se Red Granite ka financuar tre filma duke përdorur fonde që dyshohet se janë vjedhur nga 1MDB. Red Granite i ka paguar qeverisë së SHBA rreth 60 milion dollarë në shtator 2017 për të zgjidhur një çështje të drejtash civile për “Wolf of Wall Street”. (Reuters)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.