“Produkte të Tesla blihen me Dogecoin” – Kriptovaluta rritet me mbi 14% pas postimit të Musk në Twitter
Ekzekutivi i Tesla, Elon Musk, bëri të ditur në ditën e Premte se firma prodhuese e makinave elektrike, do të pranojë kriptovalutën Dogecoin, si formë pagesash për produktet e veta, ç’ka nxiti rritjen e kriptovalutës. “Malli i Tesla mund të blihet me Dogecoin”- shkroi Musk në Twitter. Kriptovaluta, e bazuar në një meme dhe që ka në logo foton e një qeni japonez, Shiba Inu, u rrit në tregtinë e së Premtes me mbi 14%, brenda 24 orëve, sipas portalit Coinmarketcap, që ndjek performancën e kriptovalutave.
Musk e ka sinjalizuar këtë lëvizje përpara disa kohësh. Shefi i Tesla e ka quajtur Doge si “kriptovalutën e popullit” në një postim në Twitter në vitin 2021, ç’ka solli rritjen e aktivit dixhital ne mbi 4,000%. Në Dhjetor, Musk theksoi në postim se Dogecoin do të lejohet në formë testi, që të përdoret për të blerë mallrat e Tesla. Lajmi solli atëherë rritjen e Dogecoin me mbi 20%. Kriptovaluta u krijua fillimisht si një shaka në vitin 2013 nga 2 inxhinierë softëare-i, që po talleshin me spekulimet e egra tek tregu i valutave dixhitale. Doge konsiderohet si “meme coin” i parë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.