Produktet “Made in Albania” – Meta: Të “internacionalizohen” markat shqiptare

Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në një aktivitet zhvilluar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Të pranishëm në këtë eveniment albanologë, historianë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile e të medias, si dhe sipërmarrës nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë të cilët kishin eskpozuar edhe prodhimet e tyre.
Sipas presidentit, në këtë vit jubile të kremtimit të 550 vjetorit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, përtej vlerësimit dhe përkujtimit të veprës dhe kontributit të tij, është e rëndësishme që këto vlera dhe trashëgimi historike të përjetësohen në promovimin e ekonomisë.
Më tej, Meta u ndal edhe te shembuj konkretë mbi simbolikat e emrave të heronjve në mbarë botën, ku shumë prej tyre janë etiketuar edhe si marka në produkte të ndryshme, kryesisht në pije.
Duke e cilësuar çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian si një moment vendimtar për vendin tonë, Meta vuri theksin edhe te integrimi i ekonomisë shqiptare në tregun e përbashkët europian, që sipas tij do të jenë sfiduese.
“Pa dyshim që ky udhëtim do të jetë i gjatë dhe i vështirë, por transformues për ekonominë shqiptare dhe biznesin tonë. Në planin ekonomik, negociatat me BE-në do të jenë sfiduese sepse do të shërbejnë si një test disipline tregu dhe konkurrence për biznesin dhe produktet tona.
Ne duhet të fokusohemi në avantazhet tona krahasuese për nxitjen e prodhimit vendas dhe eksportit të produkteve “Made in Albania”, të cilat përmes një marketingu të zgjuar dhe efikas mund të “internacionalizohen” si marka në tregun rajonal dhe botëror.”
Ndërkohë, shtoi se hartimi i strategjive dhe politikave ekonomike afatgjata janë një domosdoshmëri për përmbushjen e kësaj ambicie.
Së fundmi, Meta tha se duhen nxitur kërkimet e mëtejshme për figurën e Skënderbeut, pasi sipas tij do të gjenden akoma më shumë vlera të cilat do të ridimensionojnë dhe do ta bëjnë më të gjallë figurën e tij.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.