Produktet shtazore – Peleshi: Hapja e eksporteve drejt vendeve të BE-së, domosdoshmëri për rritjen e fermerëve

Ka ardhur momenti që tregu të hyjë në një regjim dhe disiplinim sipas standardeve europiane, pasi kjo shihet si e vetmja rrugë që sektorë të tillë të rriten. Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë vizitës së tij në një stabiliment modern të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij në qarkun e Gjirokastrës. Sipas Peleshit, kjo industri nuk mund të rritet nëse nuk arrijmë ta hapim eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian.
“Dua ta ritheksoj, në qoftë se, Shqipëria nuk arrin dot të hapë eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kjo industri nuk mund të rritet. Fermeri shqiptar nuk mund të rritet sado subvencione t`i japim ne, sepse pa patur të garantuar shitjen, nuk investon për të rritur tufën e vet, bagëtinë e vet.”
Ndërkohë, shtoi më tej ndërtimi i një sistemi funksional sipas standardeve të BE-së është një sfidë e Ministrisë së Bujqësisë, institucioneve dhe e gjithë qeverisë shqiptare.
“Kështu, që sfida jonë, detyra jonë si Ministri, si institucione, si qeveri shqiptare është të ndërtojmë një sistem funksional sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ta certifikojmë atë nga audituesit e Bashkimit Evropian. T`i japim mundësi eksporti dhe këtij sektori siç janë sektorët e tjerë, peshkimi, bujqësia që po ecin shumë mirë, në mënyrë që të kemi një bum, bazuar në një traditë të shkëlqyer, siç është zona e Gjirokastrës për shembull, për bagëtitë e imëta, që kanë cilësi fantastike të kërkuara nga gjithë tregu.”
Në këtë kuadër, Peleshi vuri theksin te masat dhe mbështetja financiare që qeveria ka përgatitur me skemën e mbështetjes financiare për zhvillimin rural dhe agropërpunimin. Sa i takon këtij sektori, kanë nisur aplikimet që prej datës 28 shkurt për subvencione, mbështetje financiare dhe grante në çdo Agropikë, të cilat do të zgjasin një muaj.
Sipas Peleshit, politika që po ndiqet në këtë sektor është një bazë e cila do të shërbejë si garanci për një treg të konsoliduar dhe hapje të sigurt drejt Bashkimit Europian.
“Në tregun shqiptar do të ketë vetëm prodhime që garantojnë siguri ushqimore, që garantojnë respektim të gjitha standardeve, sepse vetëm në këtë mënyrë edhe Bashkimi Evropian do të na njohë sistemin tonë të ngritur të sigurisë ushqimore. Do të na hapë dyert për eksport dhe kjo industri do të zhvillohet“, tha Peleshi.
Ndërkohë, ai ka paralajmëruar edhe një herë aksionin e gjerë të kontrollit për cilësinë e produkteve shtazore, që do të fillojë nga supermarketet. Sipas ministrit. Në tregun shqiptar do të ketë vetëm prodhime të cilat përmbushin standardet dhe garantojnë siguri ushqimore.
“Në tregun shqiptar do të ketë vetëm prodhime që garantojnë siguri ushqimore, që garantojnë respektim të gjitha standardeve, sepse vetëm në këtë mënyrë edhe Bashkimi Evropian do të na njohë sistemin tonë të ngritur të sigurisë ushqimore. Do të na hapë dyert për eksport dhe kjo industri do të zhvillohet. Kjo është rruga, nuk ka rrugë tjetër, këtë rrugë kanë ndjekur dhe vendet që janë para nesh në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror”, u shpreh Peleshi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.