Produktet tipike, në konkurrencë – Marketing dhe lehtësi për prodhimet shqiptare
Produkteve tipike shqiptare po u kushtohet rëndësi e veçantë në mënyrën e marketimit, me qëllim që të jenë më konkurruese në raport me produktet e tjera si dhe të rrisin interesin e konsumatorëve apo kërkesën e tregjeve të huaja. Ministria e Bujqësisë po i shikon me prioritet këto prodhimeve përmes lehtësive fiskale, mbështetjes me grante si dhe brandimit të dyqaneve që tregtojnë produkte autentike të zonave të ndryshme në vend. Ministri Niko Peleshi ka zhvilluar një takim me operatorë të produkteve tipike.
“Ne mendojmë se shtimi i prodhimeve tipike, marketimi i tyre siç duhet, është një mundësi e artë për të shtuar të ardhurat në fshat. Ne nuk kemi nevojë të shpikim, ne kemi nevojë vetëm t’ju rrisim vlerën produkteve që tradicionalisht prodhohen në zonat tona, nga veriu në jug, dhe që janë kaq të shumëllojshme. Ndonëse jemi një vend i vogël, kemi shumë krahina të ndryshme, kemi zakone të ndryshme, kemi legjenda të ndryshme, folklor të ndryshëm, etnografi të ndryshme, kulinaria është shumë e ndryshme nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Kjo pra është mundësia, që përmes një marketingu të mirë, t’i shtojmë fshatit një burim të ardhurash që pastaj do të furnizonte edhe një degë tjetër, që është agroturizmi”, u shpreh Peleshi.
Produktet tipike përpos vlerës së shtuar në treg ndikojnë edhe në zhvillimin e agroturizmit në vend, pasi ka interes të lartë nga turistët e huaj për prodhime të veçanta shqiptare. Pjesa më e madhe e produkteve shqiptare tregtohen nën dyqanet me logon “Edua”
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.