“Mr.Spending Review”, kryeministri i ri në Itali
Pas hapit pas të kryeministrit të mandatuar Giuseppe Conte që u tërhoq pas vetos që presidenti vendosi për kandidaturën e ministrit të Ekonomisë Paolo Savona, radha tashmë për të marrë detyrën e kryeministrit i është caktuar Carlo Cottarelli.
Po kush është Cottarelli?
“Ilsole24ore”, në një profil për kryeministrin e mandatuar, e cilëson atë si një “kryeministër që u pëlqen tregjeve”. I lindur në vitin 1954 ai është me profesion ekonomist dhe ndryshe nga paraardhësi i tij, është dhe i njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 1981 ai është angazhuar në Departamentin e Kërkimeve të Bankës së Italisë, ndërsa në vitin 1988 i është bashkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar duke mbajtur postin e Drejtorit të Çështjeve Tatimore. Po ashtu, ai ka mbajtur detyra të rëndësishme për FMN-në, si përfaqësues i Fondit në Hungari, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe në Itali.
Në vitin 2013, kryeministri Enrico Letta i besoi detyrën e Komisionerit për rishikimin e shpenzimeve. Në këtë periudhë ai merr nofkën “Mr.Spending Review”.
Këtë detyrë do ta mbante shumë pak, për shkak të ndryshimit të qeverisë në Itali e si rrjedhojë ai do të rikthehej sërish në FMN me detyrë drejtori ekzekutiv. Në tetor të vitit të kaluar, pasi i skadoi mandati, u rikthye në Itali ku themeloi Observatorin e llogarive publike, shkruan SCAN.
Veç paralajmërimit për një aksion kundër presidentit që rrëzoi qeverinë e Contes, kreu i Lega Nord Mateo Salvini e ka etiketuar kryeministrin e ri të mandatuar si “Mister Nobody (Zoti Askushi) që përfaqëson institucionet financiare” ndërsa kreu i 5 Yjeve Luigi Di Maio është shprehur skeptik rreth mundësisë që ky kryeministër të arrijë të marrë ndonjëherë mbështetjen e parlamentit për kabinetin e tij qeveritar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.