Schulz, futbollisti që la shkollën, për Kancelar

Kur “SPIEGEL” publikoi një profil të Martin Schulz 4 vite më parë, kancelarja Angela Merkel e tërhoqi mënjanë atë në samitin e Bashkimit Europian për t’i thënë se i dukej shumë interesant.
Schulz i mbushur me krenari, ishte shumë i lumtur që kancelarja e Gjermanisë i ishte adresuar personalisht. Por gjithsesi ai nuk e mbajti dot veten nga të komentuarit mbi gjatësinë e artikullit.
“Kam dëgjuar që shkruajnë profile 7 faqe të gjatë vetëm për kancelarët e Gjermanisë”.
Tani Schulz dëshiron vetë të bëhet kancelar dhe ta rrëzojë Merkelin nga pushteti. Ai nuk e ka fshehur kurrë këtë dëshirë, as në të shkuarën dhe padyshim as tani. Ata që e kanë takuar së fundmi e kanë përshkruar si një njeri i lumtur që endet nëpër korridoret e politikës gjermane sikur të ishte kancelar tashmë. Gjuha e trupit dhe fjalët e tij, nuk lënë asnjë dyshim se ai do të bëjë çdo përpjekje për të qenë udhëheqësi i Gjermanisë në të ardhmen. “Dua të bëhem kancelari i Gjermanisë”, thotë ai, pa asnjë ironi.
Sondazhet e tregojnë atë dhe partinë e tij shumë pranë fitores. Nëse do të votohej direkt për kancelarin e vendit, 41% e gjermanëve do ta votonin atë, po aq sa ç’do të votonin edhe Angela Merkel. Duke u tallur, ai iu shpreh një grupi të vogël, se kishte mjaft vende të lira në varrezën e zëvendës-kancelarëve të Merkel. Ai vetë u shpreh se nuk do të prehej kurrë atje.
Në partinë ku ai bën pjesë, Partia Social Demokratike e qendrës së majtë, deklaratat e tij ngjajnë pak megalomane, në kontrast me udhëheqësit e mëparshëm. Ai rrezaton vetëbesim dhe uri për pushtet që nuk është parë prej kohësh në atë parti.
Kur kandidoi për herë të parë për një ulëse në Parlamentit Europian në 1994, ai vizitoi sallën plenare të boshatisur në Strasburg. Në një çast ai u ul në karrigen e Presidentit dhe shpalli: “Këtu do të ulem unë një ditë”. E pasi e fitoi atë karrige, luftoi me mish e me shpirt që t’i rriste fuqinë dhe vizibilitetin parlamentit. “Ne përfaqësojmë 500 milionë njerëz, por kemi vizibilitetin e këshillit bashkiak të Pinneberg-ut”, tha ai kur mori pushtetin, duke iu referuar një periferie të Hamburgut. “Të fuqishmit duhet të kenë frikë nga ky parlament”, u shpreh ai duke vështruar nga liderët e vendeve të BE-së, Angela Merkelit në veçanti.
Asnjë kandidat për kancelar nga PSD, përveç Gerhard Schröder nuk ka patur ndonjëherë kaq vetëbesim dhe etje për pushtet. Vetë Schröder u shpreh në tetor për Schulz se i dukej shumë simpatik në rrugën e tij ambicioze dhe të vetëdijshme për t’u bërë kancelar”.
Por Schulz nuk e kishte parashikuar se do të kishte mundësi të kandidonte kaq herët. Në verë gjithçka ishte ende e hapur se kush do të kandidonte mes tij dhe Gabriel.
Muaj pasigurie e ndoqën Schulz-in dhe ai përplasej mes shpresës dhe frustrimit. Këshilltarët e tij madje po bënin planet për intervista ku ministri i jashtëm i ardhshëm do të prezantonte axhendën e tij.
Finalja e dramës së Schulz erdhi të shtunën e fundit të janarit, kur Gabriel, ministër i jashtëm dhe kryetar i PSD-së, e ftoi atë në Montabaur, për ta informuar me vendimin e tij. Schulz vajti me pritshmëritë për t’u bërë ministër i jashtëm dhe u kthye si kandidati i partisë për kancelar.
Ndodh rrallë që në Berlin një lajm të shkaktojë tërmet, si ai i dorëheqjes së Gabriel. Jo vetëm që lajmi ishte i papritur, por sepse i ndryshoi pozicionet për zgjedhjet e 2017-ës në mënyrë thelbësore.
Prej kohësh PSD nuk futej në zgjedhje kaq e vendosur dhe me një rival të panjollosur e me besim nga brenda rradhëve të partisë. Kush do të vendoste postera dhe do të trokiste derë më derë për Gabrielin, pyesnin veten shumë anëtarë të partisë.
Me dorëheqjen e Gabriel, duket se partia e Schulz-it është çliruar.
Gara për kancelar
Dueli mes Schulz dhe Merkel do të vazhdojë deri në fund të shtatorit. Ai ankohej shumë për kancelaren kur ishte në krye të Parlamentit Europian. Sipas tij, kur Greqia në mes të krizës, në 2013-ën, kërkoi një paketë shtesë financiare, të gjitha vendet e BE-së ishin dakord, përveç Merkelit.
Nga ana tjetër, ai e telefononte Merkelin pothuajse përditë. Ai ishte krenar për faktin që kishte numrin e saj të telefonit dhe e vlerësonte solidaritetin e saj dhe njohurinë që ajo kishte për detajet.
Ndaj gjatë kësaj fushate, vështirë të mendosh se dy kundërshtarët kryesorë do të kalojnë në akuza direkte.
Merkel po shfaqet sikur asgjë nuk e ka prekur garën e saj elektorale dhe se nuk i intereson se kë ka kundërshtar. Rivali i saj është shprehur se e njeh më mirë se kushdo tjetër jashtë partisë së saj. Ndaj ai shpreson tek një lodhje e votuesve ndaj 11 viteve të Merkel në pushtet. Schulz thotë se ka mësuar nga gabimet që kanë bërë kundërshtarët e tjerë të saj gjatë këtyre viteve.
Por një sondazh i Spiegel zbulon se 30 për qind e të anketuarve nuk e dinë se kush është Schulz. Kjo ndoshta ndodh sepse të gjithë karrierën ai e ka kaluar në Bruksel dhe nuk ka patur kurrë ndonjë pozicion brenda vendit. Të mos paturit kurrë zë në Bundestag, parlamentin gjerman, duket si e meta e tij më e madhe.
Tani Schulz do t’i varë të gjitha shpresat tek fushata. Ai shquhet si një folës pasionant dhe është në vijë me politikën e vjetër të PSD. Ai ka humbur 10 kilogramë dhe ka nisur një dietë, a thua sikur e dinte që do të kandidonte.
Fjala respekt do të jetë kyçe në fushatën e tij. Respekt për punën e lodhshme, për trajnimin profesional të përkushtuar dhe respekt për angazhimin, kurajon dhe solidaritetin.
Një mungesë besueshmërie, e trashëguar nga liderët e mëparshëm, janë deficiti i madh i imazhit të partisë. Schulz dëshiron të apelojë tek klasa që luan sipas rregullave dhe ligjeve. Ai do të shfaqet si ndëshkuesi i korporatave që fitojnë miliarda euro në vit në kurriz të Gjermanisë, por paguajnë shumë pak taksa.
Gazetarët e kanë kritikuar Schulzin si të padenjë për të qeverisur, meqë nuk ka shkuar në universitet, madje nuk ka marrë as diplomën e pjekurisë.
Fushata e tij do të vërë theksin tek paqja dhe lufta ndaj të djathtës ekstreme. Një paraardhës shpirtëror politik i Trump, siç e quan ai, Silvio Berlusconin, është përgjegjës për famën që fitoi ai brenda natës në 2003. Ish-kryeministri italian u shpreh se Schulz mund të luajë fare mirë kapon në një film me nazistë.
Të njëjtin problem që kishte me Berlusconin, Schulz e sheh edhe me Trump. Italiani ishte njeriu më i pasur në vend, kishte median më të madhe, ishte kreu i qeverisë e kjo për Schulz është një rrezik i madh për demokracinë.
Jeta e Schulz
Schulz u rrit si djali i një oficeri policie në fshatin Hehlrath, në një apartament mbi stacionin e policisë. Miniera e linjitit ishte disa hapa larg, ndërsa kufiri me Hollandën dhe Belgjikën ishte vetëm disa kilometra larg.
I ri ai ëndërronte vetëm të bëhej futbollist profesionist. Pas klasës së 11-të, ai e la shkollën sepse nuk donte ta tërhiqte pas. Preferonte të kalonte kohën në fushën e futbollit. Por ëndrra e tij u zhduk kur këputi ligamentin e gjurit në fushën e Rhenania 05. Më pas ai studioi që të bëhej librashitës, por u bë i alkoolizuar.
Ai pinte sepse grumbullonte më shumë borxhe se sa fitonte, ndërsa natën pinte nga turpi që s’mund të ndalonte së piri.
Në 26 qershorin e 1980 ai bëri një kthesë në jetën e tij. Atë natë ai mund të kishte kryer vetëvrasje, por vëllai i tij më i madh e ndaloi.
Pasi përfundoi rehabilitimin, ai hapi një librari në Würselen. Atë çka të tjerët e mësuan nëpër shkolla, ai e mësoi duke lexuar libra. U njoh me gruan e tij Ingën, e cila sapo kisha marrë diplomën për arkitekturë. Ata bënë dy fëmijë së bashku, një djalë dhe një vajzë.
Në moshën 31 vjeçare, në 1987, ai u zgjodh kryetar bashkie i Würselen. Pas shtatë vjetësh ai u zgjodh për në PE, ku qëndroi për 22 vjet, fillimisht si anëtar parlamenti, më pas si kreu i grupimit të partisë Social Demokrate e në fund si President i Parlamentit Europian
Për të lexuar artikullin e plotë kliko këtu.
Angelo Haruni/Scan RTV
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.