Program i testimit në masë në Britani, Johnson: “Do të mundësojë rihapjen e kujdesshme të ekonomisë”
Kryeminsitri britanik Boris Johnson, tha në nisje të Javës se kushdo në Angli do të mund të bëjë një test të Covid-19 2 herë në Javë, në përpjekje për të gjurmuar pandeminë, ndërkohë që vendi do po rihapet dhe vaksinimi vazhdon me ritëm të shpejtë. Johnson, që pritet të lajmërojë planet për rikthimin e udhëtimeve ndërkombëtare dhe hapjen e disa pjesëve të ekonomisë më vonë gjatë Javës, tha se testimi në masë do të thyejë zinxhirin e transmetimit të virusit dhe do identifikojë rastet pa simptoma. Ndërkohë që pjesa më e madhe e Europës po vendos masa të karantinës, Johnson ka prezantuar plane për të zbutur kufizimet në muajt e ardhshëm, ç’ka do të nxisë një nga ekonomitë më të goditura nga pandemia. “Ndërsa vazhdojmë të bëjmë progres me vaksinimin dhe me planet për të rihapur me kujdes ekonominë, testimet e shpejta në masë janë të rëndësishme për të siguruar që këto përpjekje të mos shkojnë dëm”- deklaroi Johnson. Zv/ministri i Shëndetësisë, Edward Argar tha se testet do të dërgohen në shtëpi dhe tek bizneset, ose do të merren nga farmacitë apo qendrat e testimit. Pasaportat e vaksinave po provohen gjithashtu për eventet e mëdha publike. Britania po përpiqet të ndjekë një rrugë të rimëkëmbjes, pasi i ka dhënë vaksinën e AstraZeneca dhe Pfizer mbi gjysmës së popullsisë së rritur.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.