Programet e strehimit online – 36 nga 61 bashki, rreth 32 mijë të pastrehë, problem buxheti
Ministria e Zhvillimit Urban ka gati udhëzuesin, i cili do t’i hapë rrugë ngritjes së sistemit elektronik për shërbimet sociale të strehimit. Nëpërmjet këtij sistemi synohet unifikimi i procedurave të aplikimit për programet e strehimit në 61 bashkitë e vendit. Ndërkohë që, çdo qytetar do të ketë mundësinë për të aplikuar online, të marrë informacion, si dhe të shkarkojë formularët e aplikimit.
Gjithashtu, online do të mundësohet edhe ndjekja e të gjitha procedurave, deri në fazën përfundimtare të miratimit nga Këshilli Bashkiak. Paralelisht, udhëzuesi përban edhe numrin aktual të të pastrehëve si dhe hedh dritë mbi situatën problematike të financimit të ulët të programeve të strehimit nga pushteti qendror për periudhën kohore 2012-2016.
Të dhënat raportohen pas plotësimit të një pyetësori nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, sipas të cilit numri i personave të pastrehë është 31.994. Megjithatë, kjo shifër në realitet është edhe më e lartë, pasi 41% e bashkive apo 25 njësi të qeverisjes vendore nuk kanë dhënë informacion mbi këtë numër.
Sipas dokumentit bie në sy mungesa e të dhënave për qytetet e mëdha si Tirana, Elbasani, Lushnja apo Fier. Ndërsa nga bashkitë që kanë plotësuar informacionin, me numër më të madh aplikantësh për të përfituar nga programet e strehimit rezultojnë Durrësi, Korça dhe Saranda. Ndërkaq, problemi kryesor që kanë hasur bashkitë është pikërisht mungesa e fondeve dhe investimeve nga pushteti qendror.
Këtë problem e kanë vendosur si më të rëndësishmin 50 nga 55 bashkitë që i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Nga raportimi i tyre rezulton se gjatë viteve 2012 – 2016, buxheti total i bashkive ka qenë 32.23 miliard lekë, ndërkohë që nga ky buxhet të ardhurat lokale kanë qënë në shumën 9.50 miliard lekë. Pas ngritjes së sistemit dhe mundësisë për aplikim online, personat e interesuar do të mund të përfitojnë nga 6 programe në fushën e strehimit.
Më konkretisht, do të përfitohet nga programi i pagesave me kosto të ulët, nga programi i banesave sociale me qira dhe programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi. Gjithashtu, do të aplikohet për programin e banesave të specializuara dhe për instrumentat në ndihmë të programeve të strehimit.
Situata e të pastrehëve
Numri total i personave të pastrehë është 31.994
25 bashki nuk kanë dhënë informacion mbi numrin e të pastrehëve
S’ka të dhëna për qytete si: Tirana, Elbasani, Lushnja e Fieri
Nga bashkitë që kanë plotësuar informacionin:
Durrsi 4224 të pastrehë
Korça 3735 të pastrehë
Saranda 1082 të pastrehë
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.