“Programet kompjuterike”që drejtojnë Twitter
Një pjesë e madhe e atyre “pëlqimeve”, “ripublikimeve” apo “ndjekësve” që mund të keni në llogarinë tuaj në Twitter mund të mos vijnë nga duart e njeriut. Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Kalifornisë Jugore dhe Universitet i Indianës, deri në 15 për qind e llogarive në Twitter janë në fakt “bot”-programe kompjuterike që punojnë automatikisht, dhe jo njerëz.
Hulumtimi mund të jetë një lajm shqetësues për Twitter, i cili ka luftuar që të rrisë bazën e tij të përdoruesve për tu përballur me konkurrencën në rritje siç është Facebook, Instagram, Snapchat e të tjerët.
Hulumtuesit në USC përdorën më shumë se një mijë veçori për të identifikuar llogaritë kompjuterike të Twitter, duke përfshirë këtu miqtë, ri-publikimet, ndjenjat njerëzore si dhe kohën në mes të këtyre ri-publikimeve.
Duke përdorur këtë kornizë hulumtuesit shkruan se vlerësimet tregonin se diku në mes të 9 deri në 15 për qind të llogarive Twitter janë programe kompjuterike që punojnë automatikisht.
Twitter tashmë ka 319 milion përdorues aktiv mujor, që përkthehen në rreth 48 milion llogari “bot”.
Një zëdhënës i Twitter tha se ndërkohë që programet kompjuterike kanë konotacione negative, shumë llogari “bot” janë jashtëzakonisht të dobishme, të tilla si ato që alarmojnë njerëzit automatikisht për fatkeqësitë natyrore që ndodhin.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.