Programi i gjelbërimit – Mbillen 16 mijë fidanë të rinj gështenje në Pukë

16 mijë fidanë të rinj gështenjash i shtohen fondit pyjor në Pukë, mundësuar nga projekti holandez CNVP dhe bashkia e këtij qyteti në kuadër të Programit të Gjelbërimit të vendit.
Nga ky projekti përfitojnë punësim sezonal 100 vetë ndërsa familjet e zonës do të kenë një prodhim shumëfish më të lartë, tha ministri i Turizmit Blendi Klosi.
“Jemi këtu në një zonë të lënë shumë larg vëmendjes së bizneseve, ndaj kemi ardhur së bashku me një grup të madh ekspertësh për t’i rikthyer një ndjesi shumë pozitive kësaj zone, për të mbjellë 4 mijë fidanët e parë, për të dhënë 4 mijë mundësi më shumë për ekonominë familjare të kësaj zone dhe po ashtu për të vazhduar projektin tonë për të pyllëzuar sa më shumë Shqipërinë”.
Gështenjat janë nga të vetmet pemë më produktive të kësaj zone dhe kërkesa e tregut ka rritur interesin e banorëve për t’i kultivuar duke shndërruar tokat inproduktive në dobi të përmirësimit të ambientit dhe ekonomisë lokale. Mbjellja e 16 mijë fidanëve të gështenjave përfundon në fund të këtij muaji duke i shtuar fondit pyjor 35 hektarë pyllëzim.
Ministri Klosi tha se projekti për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë fidanëve deri në vitin 2020, jo vetëm që synon pyllëzimin e Shqipërisë por i shërben drejtpërsëdrejti komunitetit duke forcuar ekonominë nëpërmjet rritjes së punësimit dhe prodhimit.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.