Programi i “Këshillimit Kombëtar” – Këshilli i Ministrave miraton fondin prej 40 milion lekësh për financimin e programit
Këshillit të Ministrave disa ditë më parë vendosi mbi hapjen e procesit gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, do të zhvillohet një kuvendim popullor, ku do të merret mendimin i qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.
Në Fletoren Zyrtare është botuar një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2021, miratuar për agjencinë për dialog dhe bashkëqeverisje, për financimin e programit të “këshillimit kombëtar”
Me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi:
Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta korente të brendshme”, i shtohet fondi prej 40 000 000 (dyzet milionë) lekësh, për financimin e programit të “Këshillimit Kombëtar”.
Miratimin e programit të “Këshillimit Kombëtar” si një proces gjithëpërfshirës në kuadër të parimeve të bashkëqeverisjes, për përmbushjen e objektit të mendimdhënies së publikut nëpërmjet mbledhjes së opinionit të qytetarëve mbi politikat, nismat, vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave, si dhe mbi çështjet që lidhen me veprimtarinë e institucioneve të administratës shtetërore në drejtim të dhënies së shërbimeve cilësore ndaj publikut.
Mbledhja e opinionit të qytetarëve në kuadër të këtij procesi këshillimi kryhet nëpërmjet plotësimit nga ana e tyre të një pyetësori të hartuar në përputhje me modelin e parashikuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, që është anonim dhe mund të plotësohet nga kryefamiljari dhe/ose anëtarë të familjes në moshë madhore në rrugë digjitale apo edhe në letër.
Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje është institucioni përgjegjës për zhvillimin dhe monitorimin e programit në bashkëpunim me INSTAT-in dhe Posta Shqiptare,sh.a.-në, apo me çdo institucion publik tjetër të nevojshëm, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional që lidhet midis tyre për kryerjen e fazave specifike të procesit në përputhje me kuadrin ligjor institucional të secilit prej këtyre institucioneve.
Mbledhja e të dhënave të pyetësorit të këshillimit kombëtar kryhet vetëm për qëllime statistikore, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Rezultatet e përgjigjeve të pyetësorit të programit të “Këshillimit Kombëtar” bëhen publike nëpërmjet publikimit në media dhe në faqen zyrtare të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, brenda 4 (katër) javëve nga momenti i përfundimit të afatit për dërgimin e përgjigjeve të pyetësorit.
Fondi prej 40 000 000 (dyzet milionë) lekësh, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Posta Shqiptare, sh.a., dhe INSTAT-i për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.