Programi i stimujve i BQE, Nowotny: Ka qenë sukses, por s’duhet të kthehet në normalitet
Banka Qendrore Europiane do të zhvillojë një takim muajin që vjen mbi strategjinë e institucionit për 2018-ën si dhe daljen nga politikat monetare lehtësuese. Komentet vijnë nga anëtari i këshillit drejtues të bankës, Ewald Nowotny.
Banka Qendrore Europiane deklaroi javën e kaluar se perspektiva mbi ekonominë e Eurozonës është përmirësuar, por shtoi se koha e heqjes së suportit monetar nuk ka ardhur ende.
Institucioni i rezistoi vendeve si Gjermania, që kërkojnë përfundimin e programit të blerjes së aktiveve prej 2.3 trilionë euro.
“Në takimin e muajit Qershor do të diskutohet për strategjinë e fillimi të 2018-ës”, tha Ewald Nowotny, që drejton edhe Bankën Qendrore të Austrisë. Sipas tij, programi i blerjes ka qenë një sukses, por nga ana tjetër, nuk duhet të kthehet në një lehtësim të përhershëm.
“Kjo është sfida. Nëse programi i lehtësimit vazhdon, atëherë do të duhet të mendojmë për pasojat”, shtoi anëtari i bordit të BQE.
Institucioni në Frankfurt do të zhvillojë takimin e radhës më datë 8 Qershor dhe shumë analistë presin një ndryshim në udhëzimet që banka do të japë. Tregjet financiarë nuk presin ndërhyrje në takimin e radhës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.