Programi i kredive të buta – Dy skemat e financimit, dokumentet që duhen plotësuar
Qytetarët e interesuar për të përfituar kredi të butë nga Bashkia e Tiranës me normë interesi të pandryshuar në 3 për qind, mund të nisin plotësimin e dosjeve pasi së shpejti pritet të hapen aplikimet.
Sipas vendimit aktual në fuqi të miratuar nga Këshilli Bashkiak, në total janë 19 dokumente që duhen paraqitur pranë zyrave të strehimit të Bashkisë, ku më penalizuese janë disponimi i një prone dhe mosplotësimi i të ardhurave të kërkuara apo tejkalimi i tyre.
Në këtë program janë parashikuar dy skema financimi, për kredi me afat 20 vjeçar dhe 15 vjeçar.
Sa i përket skemës së parë, një familje 1 deri në 3 persona duhet të kenë nga 39,543 lekë deri në 65,905 lekë të ardhura mujore, një familje me 2- 4 persona duhet të ketë 47,451- 79,086 lekë të ardhura, dhe një familje me 4- 6 persona duhet të arrijë pragun e të ardhurave nga 63,269-105,448 lekë në muaj dhe një familje mbi 5 persona duhet të ketë të ardhura në kufirin nga 79,086- 131,809.
Ndërsa për kredi me afat 15 vjeçar, me normë fikse 3 për qind, të ardhurat që duhet të plotësojnë individët duhet të jenë më të larta, ku fillojnë nga 49.238 deri në 164.128 lekë.
Dosjet e aplikuesve kalojnë për verifikim në Drejtorinë e Strehimit të Bashkisë dhe më tej kalojnë për miratim në Këshillin Bashkiak. Masa e përfitimit fillon nga 3.5 milion lekë me trend rritës në varësi të numrit të anëtarëve të një familje deri në 7.1 milion lekë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.