Progres me barazinë gjinore – Raporti i “WEF”, Shqipëria ngjitet me 24 vende, falë qeverisë
Shqipëria ka bërë një “kapërcim” me plot 24 pozicione në renditjen e këtij viti në raportin global të hendekut gjinor, që përpilohet çdo vit nga Forumi Ekonomik Botëror. Në raportin e këtij viti, të sapopublikuar, vendi ynë renditet i 38-ti në botë, ndër 144 shtete, ndërkohë që një vit më parë renditej i 62-ti në botë.
Kjo ka bërë që, Shqipëria të fitojë pozita edhe në rajon, duke u ngjitur në vend të parë, nga vendi i dytë i vitit të kaluar, pasi ka “kapërcyer” Serbinë në renditje. Ky përmirësim në renditjen globale ka një nxitës të vetëm, dhe ky është kabineti i ri qeveritar, i ndarë në mënyrë të barabartë mes femrave dhe meshkujve.
Diçka e tillë vihet re edhe në përmirësimin e Shqipërisë me 21 pozicione në nën-indikatorin që i referohet fuqisë politike, nga vendi i 52-të i një viti më parë, në vendin e 31-të sot. Indikatori përpilohet mbi bazën e katër nën-indikatorëve të tjerë; fuqisë ekonomike dhe mundësive, fuqisë politike, shëndetit dhe edukimit.
Në dy të fundit, vendi ynë regjistron një performancë të mjerueshme, sidomos në drejtim të shëndetit, ku pozicionohemi të 120-tët në botë, ndër 144 vende. Në profilin e Shqipërisë në këtë raport unik në llojin e tij, vihet re qartë progresi që ka bërë në tërësi vendi ynë ndër vite, por edhe regresi në disa drejtime.
Ky regres vihet re qartë në nën-indikatorin e fuqisë ekonomike, që mesa duket, në harkun e një dekade është përkeqësuar ndjeshëm. Në vitin 2006, Shqipëria renditej e 38-ta në botë në këtë drejtim, ndërkohë që sot ka zbritur në vendin e 70-të.
Kjo do të thotë se, femrat në Shqipëri në raport me meshkujt, krahasuar me vitin 2006, kanë humbur ndjeshëm pozita sa i përket lirisë ekonomike por edhe shanseve të barabarta.
Në krahasim me vitin e kaluar ndërkohë, Shqipëria ka bërë një progres me tre pozicione në këtë nën-indikator. Në harkun e 2 vite, përmirësimi i përgjithshëm në renditje, fiksohet në plot 38 pozicione, nga vendi i 70-të në 2015-ën, në të 38-tin sot.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.