Progres për bankat greke – Bie financimi emergjent nga BQ me 3.3 mld euro
Financimi emergjent i Bankës Qendrore ndaj huadhënësve grek ra me plot 3.3 miliardë euro, ose 8.7% gjatë muajit Korrik, në krahasim me muajin paraardhës, tregojnë të dhënat më të fundit që raporton banka qendrore e vendit.
Fondet e emergjencës që kanë kosto më të larta huamarrje se ato të bankës qendrore europiane, ranë kështu në 34.6 miliardë euro, nga 37.9 miliardë euro që ishin në fund të muajit Qershor, tregojnë të dhënat.
Bankat helene janë mbështetur në programin e asistencës së likuiditetit emergjent, i njohur ndryshe si ELA, që prej shkurtit të vitit 2015, pasi u përjashtuan nga skema e financimit të Bankës Qendrore Europiane.
Kjo erdhi pas tejzgjatjes së negociatave për një program të tretë shpëtimi. Varësia e bankave greke ndaj këtij mekanizmi ka rënë me ritme të kënaqshme që prej Qershorit të vitit të kaluar, kur Banka Qendrore Europiane rilejoi aksesin e tyre në programin e financimeve të lira.
Qeveria helene prej kohësh shpreson që të bëhet pjesë e tregjeve të borxhit, pasi me të përfunduar programi i shpëtimit, në Gusht të vitit të ardhshëm, ky do të jetë i vetmi mjet financimi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.