Progres-raporti për bankat – Të mirëkapitalizuara, mbikëqyrja sipas standardeve, dobët përfshirja financiare

Tregu financiar është një ndër shtyllat kryesore të mirëfunksionimit të një ekonomie dhe të një shteti në tërësi. Komisioni Europian në progres-raport vlerëson se, ulja e stokut të kredive jo-performuese ka përmirësuar stabilitetin e sektorit bankar, por se nga ana tjetër, ekzekutivimi i dobët i kolateralit mbetet një rrezik.
Norma e kredive me probleme mbi totalin e kredisë ra në 11% në fund të 2018-ës, thotë Brukseli, nga 15.6% që ishte në 2017. Pavarësisht se rënia më e madhe vjen si pasojë e heqjes së tyre nga bilanci i bankave, bankat shqiptare kanë arritur të zgjidhin më shumë kredi të këqija nëpërmjet ekzekutimit të kolateralit, se sa në 2017.
Sa i përket mbikëqyrjes dhe menaxhimit bankar, Shqipëria vlerësohet se është në linjë me standardet ndërkombëtare. “Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit si dhe ato të likuiditetit mbeten bindshëm mbi minimumin e kërkuar”-thuhet më tej.
Ndërmjetësimi financiar vlerësohet si i nënzhvilluar, ndërkohë që edhe kreditimi ndaj sektorit privat duket të jetë poshtë nivelit europian. “Në shkurt të 2018-ës, bursa e parë private (ALSE) filloi tregtimin e titujve qeveritarë, por financimi i bonove koorporative mbetet jo i zhvilluar”- thotë më tej Komisioni Europian.
“Në tërësi, përfshirja financiare mbetet e ulët, me vetëm 40% të të rriturve dhe 75% të ndërmarrjeve që kanë një llogari bankare”-nënvizon progres-raporti, duke shtuar se Banka e Shqipërisë ka përgatitur një plan për të nxitur përfshirjen financiare, që është shumë e rëndësishme në uljen e informalitetit.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.