Projeksione optimiste për arin – Disa faktorë pritet të rrisin vlerën e metalit të çmuar

Ari pritet të arrijë në nivelin e vitit 2013, ku një onz tregtohej mbi vlerën e 1500 dollarëve, ndërkohë që rritja e inflacionit dhe normat reale të interesave poshtë zeros, ka gjasa të nxisin kërkesën.
Sipas kompanisë së manaxhimit të aktiveve në Lihtenshtein, Incermentum AG, tregu është në fazat e hershme të rritjes dhe çmimet mund të arrijnë 1400-1500 dollarë për onz brenda këtij viti.
Këtë javë, çmimi i metalit të çmuar është sjellë rreth 1250 dollarëve, çka nënkupton një rritje me rreth 20% që të arrihen ato nivele.
Ari është rritur këtë vit ndërkohë që investitorët dyshojnë mbi zbatimin e reformave tatimore nga Donald Trump dhe prej shqetësimeve në lidhje me zgjedhjet në Europë dhe negociatat e Brexit.
Investitorët po shohin edhe të dhënat mbi inflacionin, pasi matësi që përdor Rezerva Federale thuajse preku nivelin objektiv. Kompania thekson se përshpejtimi i vrullit mund të nisë në verën e këtij viti.
Metali i çmuar është përdorur tradicionalisht si mbrojtës efektiv ndaj rritjes së inflacionit.
Ndërsa rritja e normës së interesit nga FED mund të nxisë dollarin, metali i çmuar është rritur pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, duke dobësuar korelacionin negativ që ka me valutën amerikane.
Megjithatë, jo të gjithë janë optimist. Societe Generale e projekton në rënie metalin e çmuar, duke nënvizuar se ndodhitë politike do të kenë ndikim të limituar. Banka e parashikon arin në një mesatare prej 1124 dollarë për onz në tremujorin e katërt të këtij viti.
Edhe banka tjetër franceze, BNP Paribas, që pati projeksionet më të sakta për tremujorin e kaluar, bën të ditur se ari do të bjerë me rritjen e normës bazë të interesit në SHBA dhe prej dollarit të fortë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.