Projeksionet për Francën, qeveria aktuale pret një rritje me 1.5%

Qeveria franceze la të pandryshuara projeksionet për rritjen ekonomike të vitit 2017 në 1.5%. Të dhënat erdhën në një përditësim të planeve afat-gjatë për financat publike, që u mirëpritën nga mbikëqyrësit fiskalë.
Qeveria bëri të ditur gjithashtu se pret një defiçit publik në 2.8% të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 2.7% që projektohej më parë. Qeveria e Francois Hollande që do të largohet së shpejti i dha projeksionet në programin vjetor të stabilitetit për financat pubike, që do të dërgohet te Komisioni Europian brenda disa javësh.
Qeveria vlerësoi se ekonomia do të rritet me 1.5% këtë vit dhe tjetrin, e pastaj do të përshpejtohet në 1.7% në 2020-n. Megjithatë, projeksionet mund të ndryshohen nga administrata e re ndërkohë që francezët i drejtohen kutive të votimit muajin e ardhshëm. Këshilli i Lartë për Financat Publike, që është ngarkuar me ligj për të dhënë opinion mbi projeksionet e Qeverisë, deklaroi se vlerësimet ishin të arsyeshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.