Projeksionet për frangën – Pritet në rënie, Banka e Zvicrës nuk do të duhet të ndërhyjë

Rënia e fundit e frangës zvicerane në nivelin më të ulët në 1 vit, ka lehtësuar punën për Bankën Qendrore të vendit. Bankat kryesore në Europë po sinjalizojnë tërheqjen e stimujve monetare, duke lënë kështu Bankën e Zvicrës ndër të paktat që nuk ka lajmëruar për ndërhyrje.
Grupi bankar UBS projekton zhvlerësim të mëtejshëm të valutës zvicerane, pasi theu nivelin prej 1.10 për euro ditën e Hënë, duke shkuar drejt nivelit më të ulët që prej Qershorit 2016.
UBS deklaroi se me përfundimin e rreziqeve politike në Eurozonë, nuk do të ketë më arsye për të përmbajtur frangën zvicerane, duke shtuar se pret që të arrijë në 1.13 kundër euros deri në fund të këtij viti.
Kjo do të sjellë lehtësime për presidentin e Bankës Qendrore të Zvicrës, Thomas Jordan, i cili tha muajin e kaluar se franga qëndron e mbivlerësuar. Analistët thonë se divergjenca e politikave monetare po shton presionet për një rënie të frangës zvicerane kundrejt valutave të tjera në Europë.
Banka Qendrore Europiane, Riksbank e Suedisë dhe Banka e Norvegjisë, kanë sinjalizuar se do të nisin normalizimin e politikave monetare.
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, lajmëroi gjatë muajit të kaluar se ekonomia britanike po operon në kapacitet të plotë dhe se do të nisë rritja e normave të interesit, duke lënë kështu bankën e Zvicrës ndër të paktat që nuk ka lajmëruar për ndërhyrje.
Franga ra me 0.1% në 1.1015 për euro në hapje të sesionit të sotëm, duke sjellë ditën e katërt të rënies.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.