Projekt-buxheti grek 2019 – Pritet të dërgohet në KE pa shkurtimet e pensioneve
Qeveria greke pritet të dorëzojë sot projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2019 në Komisionin Europian pa përfshirë shkurtimet e pensioneve që janë planifikuar të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Sipas autoriteteve, ato nuk janë të nevojshme për të përmbushur objektivat fiskalë, raporton ‘Ekathimerini.’ Me zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, qeveria shpreson se do të jetë në gjendje të pezullojë këto shkurtime.
Kjo, veçanërisht pasi zyrtarët e lartë europianë janë shprehur se Greqia është në rrugë të mbarë për të përmbushur një objektiv të suficitit primar prej 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet të merret në samitin e ministrave të financave të Eurozonës në fillim të muajit dhjetor. Me sa duket, zyrtarët e Eurozonës nuk duan të ushqejnë një krizë të re në Greqi, pas trazirave aktuale në Itali.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.