Projektbuxheti 2018 prezantohet në Konferencën e Kryetarëve – Ahmetaj: Financojmë reformat kryesore

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin për vitin 2018.
Pavarësisht se të ardhurat parashikohen në 27.9 miliardë lekë më shumë, Ahmetaj argumentoi se kjo rritje nuk do të jetë barrë mbi popullsinë, për shkak se nuk ka një rritje masive taksash.
“Të ardhurat janë në nivelin më të lartë në histori, 28.1 për qind. Shtimi i të ardhurave nuk bazohet në rritje taksash. Jo vetëm nuk i kemi rritur taksat, po në shumë sektorë i kemi ulur dhe ia vlen të theksojmë taksën zero për biznesin e vogël, e cila do të vazhdojë të jetë zero”, u shpreh Ministri.
Sipas Ahmetaj, buxheti do të mundësojë rritjen ekonomike 4 herë më të lartë se në vitin 2013, ndërsa investimet publike kanë në fokus të veçantë transportin. Disa nga projektet që do të mbështeten në infrastrukturë janë Rruga e Arbrit, Unaza e Madhe e Tiranës, ndërsa do të përfundojnë dhe akset Kukës-Morinë, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, e të tjera.
Buxheti 2018 mundëson edhe rritjen e buxhetit vendor në 46.1 miliardë lekë. Ahmetaj argumentoi se përmes tij do të financohet edhe reformave kryesore si ajo në drejtësi, që nga krijimi i institucioneve të reja e deri tek teknologjia; reforma e pensioneve dhe reforma në administratën publike.
Ndërkohë mbledhja e Konferencës së kryetarëve është bojkotuar nga anëtarët e opozitës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.