Projektet e BSH – Zvicra, mbështetje projekteve të bashkëpunimit teknik
Banka e Shqipërisë do të përfitojë mbështetje nga programi SECO. Kjo u theksua gjatë takimit që Guvernatori Gent Sejko, zhvilloi me Drejtorin e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit pranë Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, Raymund Furrer dhe Ambasadorin e Zvicrës, Christoph Graf.
Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit, ndërkohë që parlamenti zviceran ka miratuar fondin për vazhdimin e programit të mbështetjes së bankave qendrore dhe se Shqipëria do të vazhdojë të jetë pjesë e programit të SECO-s.
Nëpërmjet këtij programi, gjatë viteve të ardhshme do të vijojë mbështetja për Bankën e Shqipërisë, me anë të një numri të madh iniciativash dhe aktivitetesh për projekte jetësore të bashkëpunimit teknik. Vazhdimi i projekteve të përbashkëta të zhvillimit bazohej dhe inkurajohej nga rezultatet pozitive të arritura prej programit aktual dhe aftësive të larta absorbuese të shfaqura nga Banka e Shqipërisë. Gjatë këtij takimi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, falënderoi Qeverinë Zvicerane për mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm si dhe shprehu vlerësimet e tij mjaft pozitive ndaj projekteve dhe aktiviteteve të organizuara si pjesë e këtij bashkëpunimi.
Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko theksoi se ky bashkëpunim i ka ofruar asistencë Bankës së Shqipërisë si në procesin kërkimor, ashtu dhe në procesin e vendimmarrjes, duke zhvilluar modelet e analizës dhe të parashikimit, përmes implementimit të modeleve të reja dhe përmirësimit të politikëbërjes. Më konkretisht, që prej vitit 2013, janë organizuar mbi 20 aktivitete trajnuese, nga të cilat kanë përfituar rreth 290 punonjës të Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori Sejko theksoi se rritja e kapaciteteve teknike dhe profesionale të Bankës së Shqipërisë forcon besueshmërinë dhe mbështet forcimin e mëtejshëm të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. Në veçanti, Guvernatori theksoi se ka ardhur koha që diaspora shqiptare të mos shihet më vetëm si burim remitancash, por edhe si burim kapitali financiar dhe burim energjie dhe ekspertize menaxheriale.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.