Projektet për Lurën – Rama: Shtëpitë e vjetra do t’i nënshtrohen restaurimit, investim edhe për ndërtimin e rrugës
Pas investimeve në fshatrat e Vunoit dhe Dhërmiut, edhe shtëpitë e vjetra në zonën e Lurës do t’i nënshtrohen restaurimit. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri, Edi Rama gjatë vizitës së tij në kuadër të llogaridhënies publike, sipas të cilit do të vihet një fond i veçantë dispozicion të tyre.
“Edhe këtu do investojmë pasi të identifikojmë shtëpitë e vjetra për ti rindërtuar dhe për ti riparuar siç duhet dhe në të njëjtën kohë të shikojmë mundësinë e krijimit të një rrethi njerëzish autoktonë këtu që kanë dëshirë të vijnë dhe të investojnë shuma të vogla në shtëpitë e tyre ose shuma pak më të mëdha për të ndërtuar bujtina”, u shpreh Rama.
Duke vënë theksin te agroturizmi, Rama tha se është mundësia më e madhe që familjet duhet të shfrytëzojnë për të dalë nga varfëria dhe njëkohësisht për ta kthyer Lurën në një destinacion turistik ndërkombëtar.
Ndërkohë, duke u ndalur më tej te prezantimi i projekteve infrastrukturore që pritet të zbatohen në Lurë, kryeministri tha se qeveria do të investojë edhe në ndërtimin e rrugës së Lurës, të cilën e cilësoi edhe si ‘kafshatën’ e dytë më të madhe të buxhetit të shtetit pas rrugës së Arbrit.
“Duhet që ne të investojmë për rrugën. Kjo na bëhet kafshata e dytë më e madhe e buxhetit pas rrugës së Arbrit. Kjo rrugë nuk është kafshatë e lehtë sepse kërkon një fond të konsiderueshëm, sigurisht që ajo që kthen është po aq e madhe. Por ne nuk do e lëmë rrugën pa e bërë”, tha kryeministri.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.