Projekti “1 miliard euro”, Binaj: OK, por për investime eficiente

Nëse do të ketë një projekt “një miliard dollarësh”, ai duhet të synojë të krijojë përfitime afatgjata për ekonominë. Ekspertët janë të mendimit se një mekanizëm i tillë do të shkonte në dobi të ekonomisë nëse mbështet investime edhe në funksion të rritjes në të ardhmen.
Eksperti Ilir Binaj shprehet se një nismë madhore nuk duhet të përdoret thjesht si një instrument për nxitjen afatshkurtër të ekonomisë, por t’i shërbejë investimeve që sigurojnë një kthim në afatgjatë, si infrastruktura, teknologjia, apo edhe në veçanti sektorëve me potenciale të mëdha zhvillimi, si bujqësia dhe turizmi.
Zoti Binaj mendon se, në kushtet kur nisma private ngelet ende e zbehtë, një platformë nga qeveria për të rritur investimet në ekonomi mund të jetë e dobishme, gjithmonë në kushtet kur këto investime të jenë të adresuara siç duhet.
Kjo do të qartësonte edhe pikëpyetjet lidhur alokimin e parave të papërdorura në sistemin financiar, ku kreditimi, sidomos mes kompanive të mëdha strategjike, ka pësuar një frenim të fortë.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për investime në një kohë të shpejtë dhe, nëse këto investime do të adresohen siç duhet, kjo do të justifikonte rreziqet që mund të marrë përsipër buxheti përmes detyrimeve të reja që do të duhet të paguhen në kohë.
Ajo që qeveria e paraqiti si “projekti një miliard euro”, synon të rrisë investimet publike, duke çuar në një shkallë më të lartë instrumentin e partneritetit publik-privat.
Në thelb, qeveria kërkon që këto investime të kryhen në një afat të shkurtër, me fondet e firmave private dhe bankave, ndërsa qeveria do t’i shlyejë këto investime gradualisht në kohë.
Për qeverinë, avantazhi i një mekanizmi të tillë është kryerja e investimeve pa publike, pa rritur zyrtarisht nivelin e borxhit. Megjithatë, rreziqet ngelen të njëjta me rritjen e borxhit, sidomos në rast se skenarët e performancës ekonomike në afatin e mesëm dhe të gjatë nuk do të jenë ata që priten.
Ersuin Shehu/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.