Projekti/Hekurudha shqiptare ndahet në 4 shoqëri aksionere. Emrat e kompanive të reja që krijohen

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka iniciuar projektligjin “Për ndarjen e Hekurudhës Shqiptare Sh.a”. Sipas versionit optimal të përzgjedhur në këtë projektligj, Hekurudha Shqiptare do të ndahet në 4 Njësi të Pavarura, secila Shoqëri Aksionare plotësisht e pavarur nga të tjerat, raporton SCAN.
Me hyrjen ne fuqi te ligjit do te krijohen Kompanitë si më poshtë:
-Shoqëria Aksionere (sh.a.) Infrastruktura e Hekurudhës Shqiptare,
-Shoqëria Aksionere (sh.a.) e Transportit të Udhëtarëve,
-Shoqëria Aksionere (sh.a.) e Transportit të Mallrave,
-Shoqëria Aksionere (sh.a.) e Mirëmbajtjes së Mjeteve Lëvizëse Hekurudhore.
Ato do të jenë në pronësi të Republikës së Shqipërisë dhe do të qeverisen si Ndërmarrje në pronësi Publike ose të kontrolluara nga shteti në përputhje me Ligjin për Sipërmarrjet Publike.
Përveç ndarjes së aseteve dhe llogarive, veprimet më të rëndësishme gjatë fazës gjashtëmujore të themelimit janë:
-Përgatitja dhe lidhja e kontratave ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe katër kompanive të reja që do të themelohen mbas ndarjes së aseteve dhe llogarive
-Krijimi i Bordeve drejtuese për të katër kompanitë, duke përfshirë përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit
-Veprimet e para që do të ekzekutohen nga të katër Bordet do të jenë:
Miratimi i Statutit për secilën prej kompanive
Zhvillimi dhe implementimi i strukturës së tyre organizative
Ndarja e personelit të HSH sh.a. nëpër katër kompanitë e reja
Ministri i Ekonomisë dhe Financave paraqet kërkesën për regjistrimin e katër kompanive të reja në QKB.
Ky projektvendim nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit. Në programin Buxhetor Afatmesëm 2020-2022, është parashikuar fondi 400 milion lekë për mbështetjen e Sektorit të Hekurudhës HSH.
Aktualisht me këtë fond sot mbulohen shpenzimet për paga/sigurime shoqërore përkatësisht për punonjësit ekzistues të administratës që do të shpërndahen në katër shoqëritë e reja që dalin nga ristrukturimi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.