Projekti i Binjakëzimit – BE, 500 mijë euro për Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të integrimit

Bashkimi Europian ofron 500 mijë euro asistencë për projektin e binjakëzimit të parlamentit shqiptar me atë grek dhe italian. Gjatë prezantimit të këtij projekti 1-vjeçar, Nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj u ndal tek rëndësia e kësaj nisme për përballimin e sfidave në rrugën e integrimit në BE.
“Projekti që lançojmë sot, si edhe e gjithë mbështetja e Bashkimit Europian dhe e vendeve partnere dhe e atyre që janë sot këtu, nuk kanë qenë dhe nuk janë thjesht mbështetje financiare. Pra, nuk i konsideroj një grusht parash që jepen si mbështetje financiara Kuvendit të Shqipërisë. Ato janë në radhë të parë një partneritet kyç, partneritet shumë i rëndësishëm në udhën tonë për konsolidimin e parlamentit, për një parlament të demokracisë funksionale në linjë me kriteret e Kopenhagenit, pa përmbushjen e të cilave Shqipëria nuk mund të jetë anëtare e BE”, tha Leskaj.
Drejtuesja e projektit të binjakëzimit Albana Shtylla prezantoi katër komponentët kryesor të tij ndër të cilat rëndësinë e autonomisë financiare dhe buxhetore të kuvendit, në bazë të praktikave më të mira Europiane.
“Bazuar në një analizë të kryer në projektin e mëparshëm, është rekomanduar që në respektim të parimeve kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një ligj të autonomisë financiare. Komponenti parashikon si aktivitet kryesor të tij, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë, që të hartohet një ligj për autonominë financiare të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Shtylla.
Të pranishëm në këtë takim ambasadorët e Greqisë dhe Italisë, si edhe deputetë të parlamenteve të këtyre vendeve, ofruan mbështetjen e tyre për Shqipërinë në rrugën e integrimit në BE.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.