Projekti për shërbimet mjedisore – BB: 137 aplikime për pyllëzimin, ja sa para u disbursuan
Banka Botërore ka bërë së fundmi një vlerësim të zbatimit të projektit që lidhet me shërbimet mjedisore. Në një dokument zyrtar banka jep detaje mbi ecurinë e disa prej komponentëve sipas raportimeve të bëra nga misioni që bëri vlerësimin në muajin prill.
“Të gjitha veprimet e dakordësuara gjatë misionit të dhjetorit me përjashtim të finalizimit të vlerësimit për konsulentët që të përgatisin modelet hidrologjike për pellgjet ujëmbledhës të Bovillës dhe Ulzës, janë përmbushur. Vlerësimi për 137 aplikimet në lidhje me grantet e pyllëzimit ka përfunduar dhe pritet që kontratat me fituesit të mbyllen në maj dhe qershor” thuhet në raport.
Nga ana tjetër bëhet me dije se ka vazhduar puna për inventarin kombëtar të pyjeve, regjistrimin e pyjeve dhe kullotave, si dhe sistemin e informacionit që lidhet me këto tregues.
Projekti parashikon edhe analizimin e kosto-përfitimit nga përdorimet e ndryshme të tokës duke dhënë në fund një panoramë të qartë mbi orientimin dhe politikat që duhet të ndërmerren.
I gjithë ky projekt vjen në kushtet kur Shqipëria ka nisur një moratorium të pyjeve.
Në total nga projekti janë disbursuar 13 për qind e parave të vëna në dispozicion nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, 15 për qind e fondit suedez dhe 10 për qind e parave të dhëna nga GEF. Projekti në total ka një kosto prej më shumë se 19 milionë dollarë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.