Projekti /“Shkrihet” Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, 120 inspektorë kalojnë në AKU! “Transferim” për 15 mijë biznese
Ministria e Bujqësisë ka paraqitur për konsultim një projektligj që sjell “shkrirjen” e Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Nga kjo nismë, 120 inspektorë të ISHSH-së do të kalojnë të AKU si dhe 15 mijë biznese do t’i kalojnë për inspektim vetëm AKU-së, duke hequr inspektimet e dyfishta.
AKU ka 260 inspektorë, ndërsa ISHSH rreth 220 inspektorë. Ndaj, kalimi i kompetencave për inspektimin e 60% të bizneseve nga ISHSH tek AKU, parashikohet që të shoqërohet gjithashtu edhe me kalimin e 120 inspektorë të ISHSH tek AKU.
“Ky projektligj bën disa rregullime ligjore, si dhe përmirëson procedurat e punësimit të stafit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nisur nga praktika e krijuar dhe problemet e dala gjatë zbatimit të tij.
Reformimi i procesit të inspektimeve duke kaluar kompetencën e inspektimeve nga ISHSH tek AKU për kategori të caktuara të bizneseve, do të sjellë edhe ristrukturimin organizativ të dy institucioneve, duke ulur barrën inspektuese për bizneset dhe duke forcuar nga ana tjetër kapacitetet administrative të AKU-së. Ndryshimet ligjore në ligjin e ushqimit do të shoqërohen në paketë edhe me ndryshimet në legjislacionin për inspektimin sanitar dhe ISHSH” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Efekti financiar parashikohet në rreth 110 milonë lekë që i pakësohet buxhetit të ISHSH dhe i kalon buxhetit të AKU-së.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.