Projektligji i ri për koncesionet/PPP-Cili do të jetë roli i ri i Ministrisë së Financave
Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikohet të marrë një rol edhe më të rëndësishëm në projektet e koncesionit/Partneritetit Publik Privat. Projektigji i depozituar në Kuvend ku amendohet ligji për koncesionet, që ndalon nga 1 korriku i 2019 propozimet e pakërkuara, parashikon gjithashtu edhe disa ndryshime të tjera në lidhje me rolin që do të ketë Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Për më shumë lexo edhe:
Referuar relacionit të projektligjit, misionet e ndryshme të Bankës Botërore dhe të FMN-së gjatë takimeve të tyre përgjatë vitit 2017 të zhvilluara pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve të ndryshme shtetërore kanë dhënë rekomandimet e tyre nëpërmjet raporteve zyrtare në lidhje me nevojën e madhe të forcimit të rolit të ministrisë përgjegjëse për financat, në lidhje me projektet dhe kontratat e koncesionit/PPP, si burime të riskut fiskal.
“Duke qenë se projektet e koncesionit/PPP janë projekte komplekse, afatgjata që implikojnë një sërë risqesh, si dhe detyrimesh kontingjente të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, është e nevojshme dhe e domosdoshme që të gjitha këto projekte si ato me dhe pa mbështetje financiare të paraqiten paraprakisht në ministrinë përgjegjëse për financat për vlerësim dhe miratim në këndvështrimin e implikimeve fiskale dhe buxhetore” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Në Shqipëri aktualisht janë 217 kontrata koncesionare/PPP, një numër që konsiderohet relativisht i lartë për vendin.
Momentalisht, ministria përgjegjëse për financat nuk merr nga autoritetet kontraktuese dhe si rrjedhojë nuk shqyrton raporte mbi performancën dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP në një kohë që menaxhimi i riskut fiskal kërkon një vlerësim periodik të performancës së kontratave.
“Në rastin e performimit të dobët të kontratave, është e nevojshme marrja e masave të menjëhershme, për minimizimin e kostove fiskale. Ministria përgjegjëse për financat duhet të jetë e informuar në lidhje me risqet e kontratave koncesionare/PPP-ve, për të analizuar dhe minimizuar risqet e tyre fiskale dhe buxhetore. Për të eliminuar çdo implikim të paparashikuar të buxhetit të shtetit si rrjedhojë e angazhimeve financiare të pakontrolluara nga ana e autoriteteve kontraktuese dhe me qëllim që ministria përgjegjëse për financat të jetë në dijeni të të gjithë ecurisë së projekteve dhe kontratave të koncesionit/PPP, është e domosdoshme parashikimi në ligji i dispozitave në lidhje me monitorimin e tyre” shkruhet më tej në relacion.
Sipas ligjit aktual të koncesioneve/PPP të vitit 2013, autoritetet kontraktuese e dërgojnë paraprakisht për vlerësim dhe miratim në ministrinë përgjegjëse për financat studimin e fizibilitetit dhe projektkontratën, por që me marrjen e këtij miratimi nuk kanë më asnjë detyrim për të informuar ministrinë në lidhje me angazhimet e negociuara dhe të kontraktuara me operatorin e shpallur fitues.
Kështu, për të shmangur çdo dyshim dhe çdo kosto shtesë, si rrjedhojë e vënies në zbatim të këtyre projekteve të koncesionit/PPP, projektligji parashikon se është e domosdoshme që çdo ndryshim si gjatë fazës së përgatitjes së projekteve (në studim fizibilitetit), por edhe pas nënshkrimit të kontratës, (kontrata e koncesionit/PPP), duhet të vlerësohet dhe të miratohet paraprakisht nga ministria përgjegjëse për financat.
Një parashikim tjetër që vlerësohet shumë i rëndësishëm është që përpara nënshkrimit të kontratës përfundimtare të koncesionit/PPP, kjo kontratë të paraqitet sërish për vlerësim pranë ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim verifikimin nëse autoritetet kontraktuese pas negociimit të saj i janë përmbajtur vlerësimeve dhe rekomandimeve të dhëna nga ministria përgjegjëse për financat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.