Projektligji i ri – Si ndryshojnë taksat, funksionet e bashkive dhe qarqeve?
Qeveria ka gati një projektligj të ri “Për Financat e vetëqeverisjes Vendore”, ose për bashkitë dhe qarqet sipas ndarjes administrative territoriale.
Projektligji është miratuar në mbledhjen e qeverisë dhe pritet të diskutohet në komisionet parlamentare. Nisma e ekzekutivit thuhet se ka për qëllim të garantojë autonominë fiskale të njësive të vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet së drejtës për të vendosur e mbledhur taksa dhe tarifa; të vendosë rregulla që sigurojnë disiplinë fiskale, politika të qëndrueshme dhe transparente për menaxhimin e fondeve publike etj.
Në rastet kur ulen apo hiqen taksa ose tarifa vendore nga qeverisja qendrore, këto njësi thuhet se kompensohen plotësisht, nëpërmjet rritjes së transfertës së pakushtëzuar.
Funksionet ose kompetencat që u transferohen apo delegohen bashkive, pritet të shoqërohen me mjetet dhe burimet e nevojshme financiare për ushtrimin e tyre.
Për sa u përket të ardhurat që vijnë nga taksat vendore, këto njësi kanë të drejtë ti administrojnë këto lloj taksash:
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme, në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, mbi tokën bujqësore dhe mbi truallin; Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; Taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier; Taksa e tabelës; Taksa vendore të përkohshme; Taksa vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël dhe taksa vendore mbi të ardhurat vetjake, trashëgimitë, testamentet ose lotaritë vendore.
Për sa i përket rregullave për vendosjen e taksave të përkohshme, kjo e drejtë i jepet këshillit bashkiak për ofrimin e shërbimeve dhe të investimeve publike specifike, për një periudhë të caktuar kohore.
Gjithashtu, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë të vendosin tarifa për zënien e hapësirës publike dhe të fasadave. Projektligji për financimin e vetëqeverisjes vendore parashikon shfuqizimin e ligjit për “buxhetin lokal”, për “huamarrjen e qeverisjes vendore etj.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.