Projektligji për arsimin parauniversitar – Diplomat që duhet të kenë fituar mësuesit për t’u emëruar në arsim. Cilët emërohen nga kryetarët e bashkisë?

Projektligji i ri për arsimin parauniversitar, i miratuar pak ditë më parë në qeveri dhe i cili ka kaluar së fundmi në Kuvend, përcakton kushtet për ushtrimin e profesionit të mësuesit.
Në të janë përcaktuar kriteret, si dhe institucioni i ngarkuar për emërimin e drejtorëve në arsimin parashkollor.
Ndër të tjera në projektligj përcaktohen edhe kushtet për provimet kombëtare, si dhe vlerësimin e arritjeve të nxënësve.
“Drejtori i institucionit të arsimit parashkollor emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë përkatëse, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të jetë i certifikuar për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor. Organizimi dhe zhvillimi i procesit të certifikimit të drejtuesve të institucionit arsimor përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike”, thuhet në projektligjin e ri të arsimit parauniversitar.
Profesioni i mësuesit
Projektligji përcakton gjithashtu edhe diplomat që duhet të kenë fituar mësuesit për t’u punësuar në arsimin parauniversitar sipas niveleve:
-Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.
-Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor.
-Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë dhe diplomë të ciklit të dytë “Master”, me 120 ECTS në fushën/lëndën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.
-Mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë, përkatësisht, në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar.
-Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të cikilit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje, së paku, 4 vite akademike, të ngjashme ose të përafërta me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar. Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura të këtij neni, në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, përcaktohen me udhëzim të ministrit.
-Mësuesi i arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i shkollave profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diploma të ngjashme ose të përafërta me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, e ushtron profesionin pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Provimet kombëtare dhe vlerësimi i arritjeve në arsimin bazë
Në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.
“Në vlerësimin e arritjeve nxënësit do të vlerësohen për njohuritë dhe për kompetencat e fituara në arsimin fillor. Nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët gjuhë amtare, gjuhë shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj. Organizimi dhe zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe të provimeve.”, thuhet në projektligj.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.