Projektligji për sportin, FSHF i kërkon klubeve opsionet e tyre
Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar klubeve të paraqesin në një kohë sa më të shpejtë opsionet dhe mendimet e tyre në lidhje me draftin e ri të paraqitur për Ligjin e Sportit. FSHF kërkon të marrë një opinion më të gjerë edhe nga anëtarët e saj, për të përmbledhur në një të vetëm edhe propozimet që do të vijnë nga familja e futbollit.
“Qasja e Federatës Shqiptare të Futbollit rikonfirmohet në faktin që ndryshimi vetëm i Ligjit Për Sportin, ndonëse është hap pozitiv nuk mjafton aspak për të adresuar të gjitha problemet që ka sporti shqiptar. Institucioni i FSHF-së dhe vetë Presidenti Armand Duka kanë propozuar një paketë amendimesh, njëkohësisht në: Ligjin për TVSH, Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, Ligjin për Sponsorizimet dhe VKM (Vendimet e Këshillit të Ministrave) përkatëse. Qëllimi i këtyre propozimeve është që të krijohen lehtësira për federatat, sportistët dhe klubet, si dhe nxitja e investimeve në sport. Disa nga propozimet e FSHF-së janë pranuar në Ligjin për Sportet, duke u përfshirë në këtë Draft, edhe pse FSHF është e prirur dhe ka kërkuar së fundmi edhe nga klubet e futbollit që të paraqesin propozimet e tyre”, thuhet në njoftim.
Për adresimin e jo pak problematikave, FSHF thotë se është hartuar një paketë me ndryshime ligjore e nënligjore, shumë të ndjeshme për zhvillimin e sportit në vend.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.