Promocioni i turizmit – Çollaku: Po synojmë të marrim fonde nga BE

Shqipëria është bërë shumë herë pjesë e promocioneve të destinacioneve turistike nga media prestigjoze ndërkombëtare.
Por fondet për të promovuar resurset tona, edhe pse kanë ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme, sidomos për të marrë pjesë në panairet ndërkombëtare, të cilat janë dhe pikat kyçe për promocion.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, u shpreh, në një intervistë në TV SCAN, se aktualisht kanë fituar dy projekte nga BE, ndërkohë që kanë aplikuar në 7.
“Natyrisht që fondi për promovim nuk është asnjëherë i mjaftueshëm. Ne këtë vit do të jemi prezentë, do të promovojmë turizmin shqiptar në zona të ndryshme turistike. Do të jemi prezentë sepse duke ikur në Sarandë do të promovojmë gjithë zonën përqark Sarandës, duke ikur në Pogradec do të promovojmë të gjithë zonën rreth e qark. Por, për sa i përket fondeve, jemi duke aplikuar dhe duke mos kërkuar vetëm fondet e qeverisë. Ne sivjet jemi prezentë në mbi 7 projekte, kemi fituar 2 prej tyre, një me Bashkimin Europian dhe një me ministrinë e jashtme italiane, dhe jemi në pritje të përgjigjes për pesë të tjerë. Këtë duhet të bëjë një institucion, apo së bashku me njësitë e qeverisjes vendore të kemi prezencën tonë dhë të krijojmë atë mundësi që të mos presim vetëm fondet e shtetit, por duke patur mundësinë, duke patur financat edhe të BE-së, t’i mundësojmë vendit pikërisht një promovim sa më të mirë nëpërmjet bashkëpunimit përkatës që duhet të kemi”, tha Çollaku.
Promocioni për Shqipërinë vlerësohet shumë, por duhet të përmirësojmë produktin të cilin do t’u ofrojmë turistëve të huaj. Ndërkohë që ndërhyrjet e fundit të bëra në ligjin për turizmin dhe TVSH, pritet të japë dhe “frytet” e para në përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e investimeve në këtë sektor.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.