Promovimi i turizmit – Shqipëria prezantohet para gazetarëve në Bratislavë

Shqipëria i është prezantuar të premten 20 mediave të ndryshme në Sllovaki, në një takim promovues me shoqatën Fijet, një rrjet gazetarësh që shkruajnë për turizmin.
Në takimin ku merrte pjesë edhe Ambasadorja e vendit tonë në Sllovaki, si edhe Konsulli i Nderit Husarovich, Agjencia Kombëtare e Turizmit promovoi edhe vendimin për të ulur TVSH-në e strukturave akomoduese në 6%.
Palës sllovake u bëri shumë përshtypje harmonia fetare në vend dhe shfaqi natyrshëm interes mbi pikat e aksesit në vend, pra ato ajrore dhe rrugore.
Për të zbuluar më së mirë potencialin e panjohur të Shqipërisë për turistët sllovakë, 7 nga mediat më prestigjioze në vend do të realizojnë një tur familjarizues.
Një sugjerim që u mirëprit edhe nga AKT ishte pjesëmarrja në panairet e turizmit që zhvillohen në Bratislavë dhe bashkëpunimi me operatorët turistikë sllovakë për krijimin e paketave të përbashkëta turistike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.