Prona e Teatrit Kombëtar – Mazhoranca bojkoton komisionin ku priteshin shpjegime mbi ndërhyrjet
Deputetët e shumicës kanë bojkotuar komisionin parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ku ishte thirrur në një Seancë dëgjimore Kryeregjistruesi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Valdrin Pjetri, për të dhënë informacione dhe shpjegime në lidhje me pronën ku ndodhet Teatri Kombëtar, ndryshimet që ka pësuar ndër vite, mënyrën e tjetërsimit të pronave rreth saj.
Bojkoti i deputetëve të mazhorancës dhe Pjetrit është shoqëruar më akuza të forta nga ana e opozitës e cila theksoi se ky veprim antikushtetues konfirmon vjedhjen që po bëhet me pronën publike
“Masa ndaj kryeregjistruesit, ministrit të Drejtësisë, që të marrë masa ndaj kryeregjistruesit për shkelje të ligjit, të rregullores dhe të kushtetutës, duke mos u paraqitur sot. Unë i bëj thirrje kryeregjistruesit dhe çdo punonjësit tjetër të administratës që të refuzojë të gjitha urdhrat që merren nga lart, sepse drejtësia dikur do vihet në vend”, u shpreh Vokshi.
Kryetarja e komisionit Albana Vokshi njoftoi për një shtyrje të seancës dëgjimore ditën e enjte ku pritet që Kryeregjistruesi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Valdrin Pjetri, të japë informacion mbi Teatrin Kombëtar ndryshimet që ka pësuar ndër vite, mënyrën e tjetërsimit të pronave rreth saj si dhe pronarët kufitarë të pronës.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.