Pronat e grabitura, Kadastra hap ‘letrat e vjetra’ të bregdetit! Artan Lame bën publike “hartën e abuzimeve”
Në 6 muajt e parë të punës së Kadastrës së re Shqiptare, janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime nëpër të gjitha drejtoritë vendore.
Shifrat u bënë publike nga kreu i Kadastrës Artan Lame në një dalje publike ku tha se janë marrë 120 masa, përfshirë edhe largimet nga detyra.
“Janë trajtuar në këta muaj rreth 7500 ankesa nga publiku dhe nga institucione të ndryshme, ku pjesa dërmuese ka sfond grabitjen e të drejtës së pronës. Do të mjaftonin këto shifra për të dëshmuar se sa i thellë është problemi, se sa e thellë ka qenë reforma dhe se sa e madhe është pritshmëria e publikut ndaj këtij institucioni të ri” tha Lame.
Harta e abuzimeve me pronat, sipas Lames, përfshin të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, “por është e kuptueshme që këto abuzime dendësohen në zonat me interes ekonomik, pra pikërisht në zonat ku vendi dhe ekonomia duhet të tregohen më të hapura ndaj investimeve, zhvillimeve dhe iniciativës së lirë. Por, pikërisht në këto zona, problematikat e trashëguara të pronave bllokojnë shumicën e investimeve”.
“Do të përmendja këtu zonat bregdetare përgjatë gjithë Jonit dhe Adriatikut, apo zona të tjera me fluks ekonomik si ato përreth qyteteve të mëdha dhe veçanërisht Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Kronikat e mediave në gjithë këto vite kanë trajtuar herë pas here problematika të tilla, por përgjatë këtij viti ky fluks është shtuar.
Do të veçoja dy arsye për këtë çështje, e para tani Shqipëria kjo është, bregdeti i saj u nda dhe u s’tërnda dhe konfliktet kanë filluar të ngrenë krye ngado; dhe e dyta, gjatë këtij viti ndjeshmëria dhe reagimi i Qeverisë dhe e Agjencisë së re të Kadastrës, duke vënë dorën në plagë, është rritur dukshëm.
Përpara disa kohësh, unë paralajmërova se problematika si ato të Vlorës do të bëhen publike edhe në zona të tjera. Do të ndeshen në Sarandë, ku i gjithë bregdeti i qytetit, i gjithë amfiteatri i kodrave të Sarandës është ndarë dhe rindarë e mbindarë në më tepër se dy-tri herë, përfshi dhe zona që praktikisht janë në det.
I ndeshim në zonën e Butrinti dhe përreth tij, në situatat tragji-komike të Butrintit antik, i cili sot del me pronar. Do ndeshen përgjatë Rivierës së Jonit, ku së shpejti ne do të fillojmë regjistrimin fillestar dhe nga ku sondazhet na rezultojnë mbivendosje deri në katër pronarë të ndryshëm për të njëjtën tokë.
Problematika të tilla janë bërë publike dhe do të vazhdojnë të bëhen publike në gjithë Gadishullin e Karaburunit, ku falë ndërhyrjes së Task-Forcës së Kryeministrisë u mundua t’i kthehej shtetit rreth 250 hektarë tokë e grabitur. Problematika të tilla do t’i ndeshim në bregdetin e mrekullueshëm të Spillesë, ku edhe këtu në një pikë që vuri dorën Qeveria u zbulua një vjedhje kolosale e tokës Shtet, e cila i është referuar organeve ligjore, apo po këtu, i gjithë brezi i pishave përgjatë bregdetit, tani rezulton i ndarë si tokë buke.
Do t’i ndeshim këto problematika në të gjithë Gjirin e Durrësit, ku pikërisht këto ditë organet ligjzbatuese kanë ndërmarrë veprimet e para, nisur edhe nga indicie të bëra nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Më tej, do t’i ndeshim këto problematika në Gjirin e Lalzit dhe në bregdetin e Shëngjinit, ku edhe bankina e Portit ka dal me pronar. Do t’i ndeshim këto problematika në Bregdetin e Velipojës, ku si tokë buke janë ndarë dhe pjesë e kënetave që prej mijëra vjetësh janë nën ujë” tha më tej Lame.
Kreu i Kadastrës paralajmëroi se do të denoncohen raste, apo punonjës të cilët në vite janë përzier në këto afera.
“Më tej, si deri më sot, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha organet dhe agjensitë ligjzbatuese, për të bërë të mundur që në fund të këtij procesi të kemi një rregjistër prone të saktë dhe një institucion të besueshëm ndaj qytetarëve” paralajmëroi Lame.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.