Pronat, leku “ul” çmimet – BSH: Kanë rënë nga forcimi i monedhës sonë
Banka e Shqipërisë raportoi sërish një rënie të çmimeve të banesave në Tiranë, edhe për tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Vrojtimi i çmimeve të banesave tregoi një rënie me 1.4%, duke bërë që ky tregues të bjerë për të katërtin tremujor radhazi.
Sadoqë rënia ishte disi më e ulët krahasuar me tremujorët e mëparshëm, kjo tendencë bie ndesh me perceptimin e ndërtuesve dhe agjentëve imobiliarë, që kanë raportuar përmirësime në ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme gjatë vitit të kaluar.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë shpjegojnë se vrojtimi i tyre bazohet vetëm në çmimet e ofruara në gazetën kryesore të publikimit të njoftimeve në Tiranë. Gjithashtu, sipas tyre, ecuria e indeksit reflekton edhe ecurinë e kursit të këmbimit.
Indeksi llogaritet duke i ndërtuar çmimet në lekë, ndërsa pasuritë e paluajtshme, në masën dërrmuese, tregtohen në euro. Forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor rrjedhimisht, duket se ka ulur çmimet reale të tyre për shumicën e blerësve shqiptarë, që i kanë të ardhurat në lekë.
Në dy vitet e fundit, leku ka shfaqur një tendencë mbiçmimi kundrejt euros. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e katërt 2017, ky forcim arriti në 1.9% në terma realë vjetorë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.