Pronësia e Toyota, tek Subaru – Pritet të rritet në 20%. Prodhuesit përballë sfidave teknologjike
Gjiganti i makinave Toyota planifikon të rrisë zotërimin te Subaru, në më shumë se 20%, nga 17% që mban aktualisht. Marrëveshja pritet të miratohet nga bordi i Toyota, sipas burimeve.
Investimi do të vijë 1 muaj pasi Toyota dhe një prodhues tjetër japonez, Suzuki, bënë të ditur se do të blejnë njësi të vogla të pronësisë të njëri-tjetrit. Lidhje të tilla vënë në dukje se si prodhuesit e makinave po përpiqen të menaxhojnë kostot dhe nxisin zhvillimin.
Prodhues tradicional të makinave, veçanërisht kompanitë e vogla si Subaru dhe Suzuki, po hasin vështirësi në përshtatjen me kohën, pasi industria po transformohet nga rritja e makinave elektrike dhe makinat pa shofer.
Investimi i Toyota te Subaru pritet të kushtojë më shumë se 650 milionë dollarë, sipas vlerës në treg të kompanisë. Subaru pritet të blejë gjithashtu tituj pronësie të Toyota, thuajse në të njëjtën vlerë.
Subaru dallohet tek makinat SUV dhe teknologjinë e “të gjithë rrotave aktive” (AWD). Të dy kompanitë lajmëruan gjatë verës se planifikojnë të zhvillojnë së bashku një makinë SUV, për të ndarë kostot.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.