Pronësia Intelektuale – Ekonomi: Bizneset po ndërgjegjësohen për regjistrimin

Bizneset shqiptare po ndërgjegjësohen çdo ditë e më shumë për përfitimet që kanë nga regjistrimi i pronësisë së tyre mbi markën Made in Albania.
Kjo tashmë është më e thjeshtë me kuadrin ligjor të plotësuar sipas Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi.
“”Më ka qëlluar që gjatë këtij viti të kem bërë disa vizita pranë sipërmarrjeve dhe kam vënë re me shumë kënaqësi se sipërmarrja shqiptare kërkon padyshim të bëjë regjistrimin e markës ‘Made in Albania’. Ka shumë produkte, janë produkte që mund të vijnë nga prodhues agro-përpunues, nga industria tekstile apo edhe nga industria automotive, të cilat kërkojnë të regjistrojnë markën ‘Made in Albania’. Duke përfaqësuar MZHETTS, padyshim që kjo është një nga ato kënaqësitë që të merr detyra që bën, kur shikon që zbatohen disa nga parimet që po ndërtohen”, u shpreh Ekonomi.
Për ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike me zhvillimin e sotshëm të teknologjisë dhe dixhitalizimit gjithçka po bëhet më eficiente por edhe më sfiduese.
“Në këto 4 vjet, investimet publike në fushën e dixhitalizimit dhe modernizimit të gjithë administratës nëpërmjet teknologjisë dixhitalen janë 5-fishuar. Në tre vite janë investuar rreth 100 milionë euro në nivel qendror dhe lokal për modernizim nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe më shumë se trefishuar personat që punojnë në këtë sektor në administratën publike dhe është një trend që do të vazhdojë. Ka patur rezultate konkrete, që në menaxhimin e burimeve njerëzore në administratën publike e deri tek shërbimet që i lëvrohen publikut“, tha Harito.
Një grup që jo pak herë ju është prekur e drejta e pronësisë apo autorësisë është ai i artistëve por sipas Ministres së Kulturës sot kuadri ligjor e ka rregulluar si aspektin e kërkimit të së drejtës ashtu edhe krijimin e rregullave të barabarta të lojës për të gjithë.
“Pa agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit është e pamundur që të realizohet. Sigurisht ligji lë hapësirë për autorët edhe të zgjedhin rrugë të tjera siç është avokati, apo drejtpërsëdrejti, kjo është një tjetër risi, por ama këtu ne i japim mundësi agjencive që të jenë konkurrentë, të jenë cilësorë, me qëllim që të mbledhin sa më shumë autorë rreth tyre për t’u mbrojtur të drejtat. Dhe më duket se kjo është tregu i lirë, konkurrenca e lirë, por e ndershme dhe me rregulla loje të njëjta për të gjithë”, tha ministrja Kumbaro.
Deklaratat u bënë gjatë konferencës për Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, me temë “Inovacioni përmirëson cilësinë e jetës”.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.