Propozim qeverisë, Veliaj: Qeset plastike të ndalohen me ligj, janë ndotësi kryesor
Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, gjatë nismës për pastrimin e Tiranës, është shprehur se do të lobojë pranë qeverisë shqiptare që të miratojë një ligj për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj u shpreh gjithashtu se do të propozojë në Këshillin Bashkiak projektvendime që ndalojnë një here e mirë përdorimin e tyre në Tiranë. Kryebashkiaku, në ditën për pastrimin e Tiranës jo vetëm i falenderoi qytetarët por edhe i ftoi ata që të bëhen pjesë e kësaj nisme.
“Kur plehrat hidhen në territor ato kthehen në ajër në ciklin ushqimor. Sot kemi një sëmundshmëri të lartë në Tiranë nga hedhja e plehrave dokudo. Prandaj po bëjmë një thirrje për të gjithë qytetarët që të ndihmojnë të pastrojmë. Nëse nuk ndihmojnë dot në pastrim, të ndihmojnë për të mos bërë pis. Duhet 500 vite që një qese plastike të shpërbëhet. Ja pse duhet të ndjekim politika të rrepta për to. Duke filluar nga 3 Prilli, supermarketet do te vendosin një pagesë modeste, si një barrierë psikologjike për qeset plastike. Do të propozojmë në Këshillin Bashkiak projektvendime për ndalimin e qeseve plastike, si dhe do t’i propozojmë qeverisë të miratojë një ligj që ndalon përdorimin e tyre. Do të lobojmë pranë qeverisë shqiptare për vendime emancipuese”, pohoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës gjithashtu u shpreh se do të vijohet me promovimin e zonave turistike dhe me inspektimet e shumta në qytet, ku evidentoi se së fundmi janë kryer inspektime dhe janë vendosur gjoba në disa gomisteri për gomat e lëna rrugëve.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.