Propozimet për paketën fiskale – Qeveria miraton ndryshimet, priten diskutimet në komisione

Qeveria shqiptare ka miratuar në mbledhjen e të premtes propozimet e paketës fiskale që do t’i bashkëngjitet buxhetit të vitit të ardhshëm. Qeveria ka propozuar zyrtarisht nivelet e reja të taksës mbi ndërtesat.
Shkalla tatimore do të jetë sa 0.05% e vlerës për ndërtesën që shfrytëzohet për banim dhe 0.15% për ndërtesën që përdoret për biznes.
Ndërkohë, ndërtuesit duhet të paguajnë një vlerë prej 30% të shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën janë pajisur me leje ndërtimi, por nuk kanë arritur ta përfundojnë atë sipas afatit të përcaktuar në leje.
Qeveria ka propozuar përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për strukturat akomoduese turistike me katër dhe pesë yje, deri në fund të vitit 2024. Gjithashtu, pjesë e paketës fiskale është edhe propozimi për uljen e tatim-fitimit në masën 5% për bizneset e prodhimit dhe zhvillimit të programeve kompjuterike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.