Propozimi i Bashës: Shqipëria, në shembullin e Maqedonisë së Veriut! Qeveri e re që drejton procesin e negociatave
Pas vendimit për të mos çelur negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkon që edhe vendi ynë të ndjekë rrugën e Maqedonisë së Veriut; shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në një dalje për mediat, Basha tha se ndryshe nga Maqedonia e Veriut që nuk kishte asnjë kusht, për Shqipërinë janë vendosur kushte që varen nga qeveria.
“Të gjithë biem dakord se rruga e vetme përpara është rruga drejt Europës! Europa ka refuzuar Edi Ramën, jo Shqipërinë. Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’i bëjë, Europa do të vazhdoje ta refuzojë Edi Ramën, por ne, shqiptarët, do të vazhdojmë të vuajmë pasojat. Një njeri po na mban peng të gjithëve! Kjo duhet të marrë fund!
Është koha që qeveria te ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t’ia kthejë mandatin popullit shqiptar.
Me një qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur. Ne jemi një popull i talentuar, i mirëarsimuar dhe punëtor. Ne na duhet nje qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit europian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, me mundësi për të gjithë qytetarët e saj. Me politikat e duhura, me drejtimin europian ne mund dhe do të sigurojmë mirëqenie dhe përparim drejt të ardhmes europiane” deklaroi Basha.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.