Propozimi i Macron e Scholz: Një organizëm politik ku mund të anëtarësohen edhe vendet jashtë BE-së!
Macron hedh idenë e një organizate politikë përtej BE-së, ku mund të anëtarësohen edhe vende të Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina. Scholz e quan propozimin interesant!
Gjermania dhe Franca duan të forcojnë më tej aftësinë e Europës për të vepruar, sidomos në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Këtë e theksuan kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i rizgjedhur francez Emmanuel Macron, i cili bëri të hënën në Berlin vizitën e tij të parë jashtë vendit në mandatin e dytë. Të dy politikanët siguruan se i duhet dërguar një sinjal vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i lidhur ato më ngushtë me Bashkimin Europian.
Macron doli me një propozim të ri, të cilin e prezantoi edhe gjatë një fjalimi në Strasburg, disa orë para takimit të tij me kancelarin gjerman Scholz: Krijimin e një organizmi europian, anëtarë të së cilës mund të jenë edhe vende jo anëtare të BE-së, si vende të Ballkanit Perëndimor, Ukraina ose Britania e Madhe.
Bashkim politik
Macron argumentoi se Bashkimit Europian i duheshin procedura të përshpejtuara për t’u dhënë këtyre vendeve statusin kandidat, duke përmendur Ukrainën si shembull, por edhe vende në Ballkanin Perëndimor që nuk i përmbushin ende standardet ekonomike apo kushtetuese të BE-së, por që janë gati të bashkohen me bllokun. Për këtë do të duheshin formate politike. Por ai shtoi se ka edhe vende si Britania e Madhe, të cilët thjesht nuk duan të jenë anëtarë të BE-së.
Kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti propozimin interesant por theksoi se nuk duhet hequr dorë nga procesi i zgjerimit. Ai përsëriti sërish kërkesën e tij për heqjen e bllokadave, qartazi në adresë të Bullgarisë, por pa e përmendur këtë të fundit, duke pasur parasysh bllokadën aktuale që po i bën ajo Maqedonisë së Veriut në procesin e çeljes së negociatave, dhe gjithashtu nënvizoi edhe perspektivën europiane të Ukrainës.
Maqedonia e Veriut nuk duhet zhgënjyer
Duke dhënë si shembull Maqedoninë e Veriut, Scholz argumentoi se ka vende që kanë marrë vendime shumë kurajoze, dhe që duhen shpërblyer. Scholz dhe Macron paralajmëruan se do të bëjnë një samit të përbashkët franko-gjerman me vendet e Ballkanit Perëndimor në qershor. Të dy politikanët thanë se në të ardhmen do të koordinohen ngushtë për mbështetjen e Ukrainës, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe për mundësinë embargos. Varësia e Europës nga karburantet fosile nga Rusia gjithashtu duhet të jetë e kufizuar. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.