Propozimi për bregdetin e jugut – Teleferik panoramik në Sarandë. Strategji për turizëm gjithëvjetor
Qeveria shqiptare shpalli në vitin 2014 programin e investimeve në bregdetin e Jugut, një nismë që do të transformonte turizmin në këtë zonë, duke shtuar krahas vizitorëve edhe investimet e të ardhurat. Me dhjetëra firma shqiptare e të huaja morën pjesë me projekte për “Vijën Bregdetare të Jugut”, duke sjellë ide të reja dhe vizione largpamëse.
Një prej këtyre vizioneve ishte dhe ai i një firme projektuese holandeze, e cila u shpall ndër fituesit për lotin e parë, atë të Sarandës. Projekti parashikon lidhjen e plazheve, kodrave dhe maleve me njëra tjetrën.
Siç duket edhe në foton e mëposhtme, plani është që të ofrohet një varietet i madh atraksionesh turistike, që nisin që nga plazhi dhe porti i jahteve e ngjiten më sipër për tek ullishtet, pikat arkeologjike, qendra e kampingut, fermat e agroturizmit, kënetat ku mund të zhvillohet sporti i vrojtimit të zogjve dhe kosheret e bletëve.
Edhe më sipër, ekipi i arkitektëve propozojnë rijetëzimin e gurores ekzistuese përmes artit dhe eventeve, ndërsa rreshtat me portokalle do të ndajnë pjesën e mëposhtme nga kabinat e drurit. Në majë të këtij ekosistemi turistik, do të qëndrojë platforma e hedhjeve me parashutë.
Si shtyllë e këtij plani që garanton turizëm gjatë gjithë vitit qëndron rruga panoramike, si edhe ndërtimi i një platforme të aksesueshme me ashensor. Propozohet në këtë mënyrë ngritja e një teleferiku që zbret nga Kalaja e Lëkursit në drejtim të plazhit pranë marinës së jahteve, duke përfunduar në një kullë vrojtimi.
Strategjia ka si qëllim lidhjen e popullsisë lokale me tokën e tyre duke i dhënë rajonit një vend të merituar në vëmendjen ndërkombëtare.
Ndër të tjera, në projekt parashikohet pasurimi i qytetit me vepra arti, ngritja e një tregu modern të peshkut, shtrirja e korsive për biçikleta përgjatë gjithë shëtitores dhe ndërtimi i bareve dhe klubeve të natës në pjesën perëndimore të qytetit.
Angelo Haruni/SCAN
[FOTO] Bulevardi i Vlorës, FSHZH hap tenderin – Do të kushtojë 8 milionë euro. Gati brenda vitit 2019
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.