Propozohet 22 tetori për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë – Subjektet politike takim me Presidentin Thaçi

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti. Gjatë një takimi konsultativ që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi me përfaqësuesit e subjekteve politike u propozua data 22 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, raporton Radio Europa e Lirë.
Përfaqësuesit e partive politike kanë preferuar që zgjedhjet komunale të mbahen brenda afatit kushtetues dhe, siç u tha, “mundësisht në një mot sa më të mirë, për të mos hyrë në stinën e dimrit”.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës. Ato pritet të nxjerrin kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.
Viti 2017, cilësohet si vit i zgjedhjeve në Kosovë. Më 11 qershor u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga të cilat pritet që të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, i cili më pas pritet ta votojë edhe formimin e Qeverisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.