Protesta e studentëve, Nikolla: Nuk ka rritje tarifash, VKM-ja nuk ka fuqi prapavepruese
Pas protestës së studentëve, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në një konferencë për shtyp ka sqaruar një për një tre kërkesat e tyre.
Nikolla deklaroi se prej vitit 2014 nuk ka pasur asnjë rritje të tarifave arsimore. Ndërsa sa i përket kërkesës për anulimin e VKM-së, ministrja dha se kjo VKM ende nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk i prek studentët.
“Në vitin 2013 -2017 kemi një rritje tarifash vetëm në 2014. Tarifa minimale ishte 14430 shkoi në 20 mijë, ka impaktuar 4500 studentë, pra një rritje prej 5570 lekë. Tarifa mesatare nga 20600 shkoi 21600 dhe tarifa maksimale zero rritje. Pra kjo rritje e tarifash nuk ka prekur të gjitha programet e studimit. Ka prekur shkencat e natyrës dhe gjuhet e huaja. Efekti financiar është 75 milion lekë. Dhe nga viti 2014 pas hyrjes në fuqi në vitin 2015 të ligjit dhe deri më sot, pra në këto katër vite ne nuk kemi asnjë rritje tarifash studimi. Ndërkohë që ligji për Arsimin e lartë i jep përgjegjësi qeverisë vetëm të përcaktojë tarifën tavan dhe gjithë tarifat e tjera është vendimmarrje e universiteteve. Sa i përket kërkesës së dytë, ku studentët kërkojnë në mënyrë të menjëhershme përgjysmim tarifave është pikërisht njohja dhe respekti me ligjin. Vendimmarrja për përcaktimin e tarifave si dhe kuotat është e universiteteve”.
“Anulimi i VKM-së, përkatësisht pikën 4, ku studenti në bazë të rregullores të arsimit të lartë publik si përsëritës në një apo shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës ti nënshtrohet vetëm tarifave të shkollimit vjetor dhe jo ti nënshtrohet tarifash për kreditet. Me lini t’iu sqarojë. Vërtet kërkojnë anulimin e një pike të një VKM-je, por që nuk impakton dhe nuk ka hyrë në fuqi për këta studentë, sepse VKM nuk ka fuqi prapavepruese. Lidhet me studentët që futen sivjet në vit të parë dhe vitin tjetër ajo mund të ketë efekti. Por gjithsesi ne bëmë një diskutim shterues me rektorët dhe dekanët dhe janë po ata që do të adresojnë në mekanizmat dhe patjetër unë jam e hapur që të ecim drejt një propozimi të Këshillit të Ministrave që kjo pikë tu lihet tagër universiteteve dhe mos jenë pjesë VKM-së”.
Ministrja iu dha të drejtë studentëve sa i përket përmirësimit të kushteve në konvikte, duke deklaruar se po bëhen një sër investimesh.
“Sa i takon kërkesës tjetër që lidhet me përmirësimin e kushteve në konvikte. Ju bëj me dije që me shumë të drejtë, studentët kanë shumë të drejtë që kërkojnë përmirësime të kushteve në konvikte, por edhe ne jemi të vendosur që vit pas viti me buxhet të adresojmë projekte investuese në Qytetin Studenti dhe në institucione të tjera ku akomodohen studentë. Në Tiranë janë investuar 5.3 milionë euro në 4 godina të Fakulteti i Inxhinierisë. Si dhe janë akorduar nga KFV edhe 6 milion euro për 8 godina në Qytet Studenti”.
Prej ditës së martë qindra studentë bojkotuan mësimin duke protestuar para godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke kërkuar anulimin e VKM-së, përgjysmim të tarifave dhe përmirësim të kushteve nëpër konvikte.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.