Protesta e transportit interurban – Shoqata: Po jepen licenca abuzive. MTI: Antiligjore

Transporti Interurban është paralizuar ditën e martë, si pasojë e një proteste të Zhvilluar nga Shoqata e Transportit Ndërqytetas.
Protesta një ditore erdhi pas një vendimi, të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për shtimin e linjave që kryejnë itineraret interurbane. Ndërkohë që, sipas nënkryetarit të shoqatës, Nexhdet Dalipi po i hapet rruga dhënies së lejeve për linja që do të operojnë në zona informale, të cilat sipas tij, do të punojnë abuzivisht.
“Ligji shprehet qartë që çdo linjë ka një operator. Nga vetë fjala “linja ndërqytetëse” ka lidhje nga qendra e qarkut në një bashki. Tani këta kanë filluar të japin linja nga qendra fshatrash, nga zona informale, ku të gjithë këto operatorë do të futen në linjat tona, do të punojnë abuzivisht, siç vazhdojnë e punojnë sot e kësaj dite”, u shpreh nënkryetari i shoqatës, Nexhdet Dalipi.
Pas protestës ka reaguar edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila e ka cilësuar si të paligjshme protestën. Sipas këtij institucioni bllokimi i shërbimit është gjithashtu shkelje e kushteve të licencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve, duke u shkaktuar atyre dëm.
Nga ana tjetër, Ministria e Transportit bëri me dije përgjatë një periudhe 6-mujore në këtë institucion kanë ardhur mbi 150 kërkesa për shtim linjash, por janë aprovuar vetëm 90, që nuk kishin mbivendosje dhe ishin territore të pambuluara me shërbim.
Sipas ministrisë plotësimi i rrjetit me linjat e nevojshme bëhet me qëllim përmirësimin e sistemit të orareve, ndërsa fton të gjithë operatorët e transportit ndërqytetas, të vazhdojnë aplikimet për licencim sipas rregullave të përcaktuara për këtë proces.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.